Makovei i kërkon Këshillit Europian fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë

Monika Makovei, Bashkë-Kryetare e Komitetit Parlamentar BE-Shqipëri, lidhur me komunikimin e ri të Komisionit Europian për Strategjinë e Zgjerimit të BE, i kërkon Këshillit Europian hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë në mbledhjen e radhës së Këshillit Europian më 28 Qershor.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka postuar në rrjetin social, Facebook deklaratën e Makoveit, e cila inkurajon popullin shqiptar të vazhdojë përpjekjet e veta, të mos shpërbëjnë çfarë është arritur deri më tani, dhe rekomandon hapjen e negociatave në mbledhjen e radhës të Këshillit më 28 Qershor.

“Unë e mirëpres vendimin e marrë nga Kolegji i Komisionerëve në Strasburg javën e kaluar. Shqipëria ka bërë progres substancial drejt hapjes së negociatave në fushën e administratës publike dhe të drejtësisë.

Masa janë marrë kundër organizatave kriminale, si dhe një marrëveshje është nënshkruar ndërmjet Tiranës dhe FRONTEX-it. Me këtë rast unë e inkurajoj popullin shqiptar të vazhdojë përpjekjet e veta, të mos shpërbëjnë çfarë është arritur deri më tani, dhe rekomandoj hapjen e negociatave në mbledhjen e radhës të Këshillit më 28 Qershor”- u shpreh Monica Macovei.

SHKARKO APP