Malaj: Buxheti në vit zgjedhor, të monitorohet çdo 3-mujor

Buxhetet në vite elektorale duhet të jenë nën mbikëqyrje, madje ministri i Financave duhet të raportojë çdo tremujor në parlament në lidhje me realizimin e treguesve të buxhetit.

Ky është rekomandimi i rektorit të universitetit “Luarasi” dhe njëherësh ish-ministër i Financave, Arben Malaj, i shprehur në “NEWS 24” gjate emisionit “Të bësh Ekonomi”.

“Viti elektoral duhet ndarë me tremujorë për të parë realizimet. Qeveria ndjen më shumë presion, edhe financat mbrohen për të krijuar stabilitet. Ne mund të bëjmë disa shkurtime në administratën publike për të pasur më pak shpenzime, por edhe kjo ka një masë. Një shqetësim tjetër është borxhi i pushtetit vendor; siç u shlyen borxhet në nivel qendror, duhen shlyer edhe këto detyrime.

Borxhi i pushtetit vendor mund të shtyhet në vite, në pesë apo shtatë vite, për t’i dhënë frymëmarrje. Mbështetja me grante për pushtetin vendor duhet riparë për sa i përket financimit edhe mbi cilësinë e projekteve”, – tha Malaj. Ndërsa, eksperti për sipërmarrjen në Partinë Demokratike, Besart Kadia e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm tërësisht elektoral dhe të parealizueshëm.

“Shqipëria nuk thith dot investime të huaja publike, fakt i pranuar edhe në relacionin e buxhetit të 2017-ës. Këta tre vjet është vënë re performanca e ulët në investimet publike.

Rritja e taksave në tre vjet me radhë, madje edhe në vitin e ardhshëm, ka vështirësuar kushtet për të bërë biznes. Duhet një taksë e ulët, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit dhe për ta bërë më konkurruese ekonominë shqiptare me atë të rajonit.

Shqipëria ka ende problem kapitalin njerëzor. Është një buxhet 6-mujor dhe elektoral; në këtë buxhet nuk ka asnjë gjë të re, vetëm vijim të gabimeve që janë bërë edhe me buxhetet e mëparshme”, – tha Kadia.

/BW

SHKARKO APP