Malaj: Reforma në drejtësi, impakt të madh në ekonomi

Arben Malaj është propozuar nga qeveria për të qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, posti i mbajtur më heret nga socialistja Ermelinda Meksi që dha dorëheqjen në muajin shkurt të këtij viti.

Gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ish-ministri financave e vuri theksin në nevojën e miratimit të reformës në drejtësi.

“Reforma në drejtësi ka një impakt të madh jo vetëm për aspektin politik dhe atë integrues të vendit, por sidomos edhe për impaktin ekonomik. Dy nga problemet që ka ekonomia jonë dhe që janë në nivele kritike gjatë gjithë tranzicioni, janë liria e pronës dhe liria nga korrupsioni.

Të dyja këto janë të lidhura fort me gjyqësorin, pra pa përmirësuar funksionimin e sistemit gjyqësor të shtetit ligjor, të garantim lirisë së pronës, të pavarësisë së gjyqësorit, është shumë e vështirë, që ne të synojmë rritje ekonomike më të lartë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Në këtë seancë të parë dëgjimore, Malaj ngriti si shqetësim nivelin e lartë të kredive të këqija duke e vënë theksin në nevojën e rritje së mbikëqyrjes të sistemi bankar.

SHKARKO APP