Manastirliu: Hapësirat e çliruara do të vihen në shërbim të komuniteteve në çdo lagje të Tiranës
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me një grup arkitektësh dhe urbanistësh, ku diskutuan për planin “Tirana 2030” dhe projektin e nisur “Rilindja Urbane 2.0”, një nismë që synon të rikthejë hapësirat publike në funksion të komunitetit, duke krijuar më shumë gjelbërim, më shumë hapësira për argëtim sport dhe çlodhje në çdo lagje të kryeqytetit.
Në bashkëbisedim me arkitektët dhe urbanistët, Manastirliu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve në ndërtimin e një qyteti me dimensione të reja sociale.
“Janë shumë arkitektë që janë angazhuar në një tjetër plan të mirëfilltë që lidhet me hapësirat publike dhe që lidhet me zhvillimin e këtyre hapësirave në funksion të komunitetit, një tjetër dimension social që qyteti ka nevojë t’i japim për të ndërtuar bashkëjetesën e shëndetshme mes gjithë atyre që kontribuojnë në qytet, por që duan të marrin nga qyteti më të mirën e tij”, tha Manastirliu.
“Janë më shumë se 1000 hapësira, që janë 1000 mundësi, të cilat ne mund të punojmë për t’ia kthyer komunitetit në hapësira të gjelbërta, në funksion të grupmoshave të ndryshme, me një kënd sportiv për fëmijët dhe të rinjtë, me mjedise çlodhëse për të moshuarit”, shtoi më tej Manastirliu.
KOHA JONË SONDAZH

