Mandati i një prej anëtarëve të AMF, drejt përfundimit. Kuvendi shpall afatet e aplikimit për kandidatët

Kuvendi ka shpallur vendin vakant për një anëtar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ku janë publikuar kriteret për kandidatët, si dhe afatet për dorëzimin e dokumentacionit.

Sipas Kuvendit, vendi vakant është hapur, pasi më datë 24 dhjetor i përfundon mandati anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, konkretisht z. Arjan Salati.

“Në këto kushte, Kuvendit i lind detyrimi ligjor për të bërë plotësimin e vendit që rezulton vakant pas kësaj date. Në lidhje me procesin e prezantimit të kandidaturave dhe për të vijuar më pas me procedurat e parashikuara nga Ligji nr. 9672, datë 03.07.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”,  për përzgjedhjen e Anëtarit të ri, Kuvendi njofton të gjithë personat e interesuar se: Kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtar të AMF janë ato të parashikuara në nenin 5, te ligjit “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, thuhet në njoftim.

Kriteret për kandidatët

Kriteret për kandidaturat janë:

-Të jetë shtetas shqiptarë.

-Të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve

-Me përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku: financë-kontabilitet; administrim i shoqërive tregtare; këshillim ligjor i shoqërive tregtare; hartim legjislacioni;  shkencë e aktuarëve; sigurime shoqërore dhe pensione.

-Me integritet moral dhe profesional.

-Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake.

-Të pashpallur si të dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë.

-Në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.

Kandidatët që pengohen

Pengesa në kandidim: Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët: në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;

Kanë lidhje familjare me personat e parashikuara në këtë paragraf: në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

“Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të KQZ-së. Kandidatët bashkë me dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore, duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe të nënshkruar edhe formularin e vetëdeklarimit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr.138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Afati i dorëzimit të dokumentacionit është ora 16 e datës 17.11. 2017. Dokumentacioni dorëzohet pranë Sekretarisë (Zyra e Protokollit të Kuvendit). Pas këtij orari, të gjitha aplikimet do t’i përcillen Komisioni të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, i cili është Komisioni përgjegjës që brenda afateve të përcaktuara dhe duke ju referuar CV-së dhe dokumentacionit shoqërues, merr në shqyrtim përmbushjen e kritereve ligjore dhe meritën e çdo kandidature”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP