Mandija, ultimatum Dakos: Merr masa, në Ujësjellësin e Durrësit, punësime pa kriter
Zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës i është drejtuar sot kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako që të marrë masa të menjëhershme në lidhje me disa konstatime se, në shoqërinë Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës janë lidhur kontrata pune gjatë periudhës zgjedhore.
Grupi i kontrollit nga kabinetit të Zv.Kryeministres ka verifikuar se në shoqërinë Ujësjellës Kanalizime sha Durrës janë punësuar disa shtetas për periudhën 25.05.2017 deri në 13.06.2017 në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gjithashtu kjo është konfirmuar edhe nga informacioni që ka ardhur në rrugë elektronike nga zyrtarët e kësaj shoqërie.
Për këtë arsye, zëvendëskryeministrja i ka kërkuar kryebashkiakut Dako që të marrë masat për të bërë verifikimet e duhura dhe nxjerrjen e përgjegjësive disiplinore të çdo nëpunësi si dhe ta informojë menjëherë për rezultatet e gjetura dhe masat e marra.
Zyra e Zv.Kryeministrit, deklaron se në se ky rast nuk do te ndiqet me përparësi, do t’i dërgojë materialet përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme.