Manjani, biznesit: Ligjin duhet ta bëni ju
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u shpreh se strategjia e ministrisë së drejtuar prej tij për të qenë pranë biznesit është “strategjia e letrës së bardhë”, pra që biznesi e shkruan ligjin.
Në fjalën e tij gjatë tryezës me Shoqatën e Investitorëve të huaj, për zbatueshmërinë e ligjit, ministri Manjani tha se strategjia e letrës së bardhë është tërësisht në shërbim të komunitetit të biznesit.
“Që në ditët e para të punës sime si ministër ngrita pyetjen se si mund ta përmirësojmë punën e gjykatës administrative, e vetmja gjykatë që vlerëson vendimet e qeverisë. Për disa arsye organizative rezultoi se ajo nuk ka punuar siç duhet. Urojmë që me disa ndërhyrje të ketë përmirësim të punës. Ky është një aspekt që nuk është një detyrë e thjeshtë. Strategjia jonë për të përmirësuar bazën ligjvënëse, korpusin në favor të biznesit është letra e bardhë. Në këtë letër bizneset duhet të shkruajnë ligjin që i vjen komod”, shtoi Manjani.
“Strategjia e letrës së bardhë” vjen natyrshëm, pasi biznesi nuk ka nevojë për fjalë apo deklarata mediatike, as për politikë, por ka nevojë për ligje të thjeshta e reagim të shpejtë. Ju jemi mirënjohës për kontributin që na keni dhënë. Kjo strategji realizohet përmes asosacioneve të biznesit, të cilat do të dëgjohen për të gjitha kërkesat që ka”, tha gjithashtu Manjani.
Ministri tha sakaq se po ndiqen e punohet edhe për ligje të tjera që lidhen me transparencën dhe procedurat ligjore që ndihmojnë bizneset.
Ai shtoi gjithashtu se biznesi shihet me prioritet nga qeveria. Ai shtoi se bizneset nuk mund të presin reformën në drejtësi, teksa kërkoi çeljen e dhomave të arbitrazhit të cilat i vijnë ndihmë biznesit.