Mario Blejer, këshilltari i Guvernatorit të BSH (profili i plotë)

Mario Blejer do të jetë këshilltari i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkos. Ai është një ekonomist i njohur dhe postin më të rëndësishëm që ka mbajtur është ai i Presidentit të Bankës Qëndrore të Argjentinës, për 6 muaj, nga 21 janari i vitit 2002 deri në 21 qershor të vitit 2002. Lajmi se do të këshillojë Sejkon u dha nga kryeministri Rama në rrjetet sociale. “Mario Blejer,ekonomisti i famshem qe ka qene dhe drejtor i politikave monetare te Bankes se Anglise do jete keshilltari i Guvernatorit tone”, shkruan Rama.

Emri i tij u përfol si i përzgjedhuri i kryeministrit Rama për postin e Guvernatorit të Bankës, pas shkarkimit të Ardian Fullanit. Por tentativa e Ramës për të emëruar një guvernator të huaj dështoi, pasi Kushtetuta e pengon emërimin e një të huaji në këtë post.

Blejer ka lindur në Kordoba të Argjentinës në vitin 1948. Ai ka ndjekur studimet në Universitetin Hebre të Jeruzalemit ku është diplomuar me nota të shkëlqyera për Ekonomi dhe Histori Hebreje në vitin 1970. Nga i njëjti universitet ai mori diplomën master në ekonomi dhe më vonë mbrojti doktoraturën (1975) në Universitetin e Çikagos. Ai u bë pjesë e Universitetit të Bostonit si profesor i asociuar ku qëndroi deri në vitin 1980. Në këtë vit ai u punësua në Fondin Monetar Ndërkombëtar si këshilltar për politikat monetare, shkëmbimet valutore dhe politikat fiskale.

Pasi u largua nga posti i Presidentit të Bankës Qëndrore të Argjentinës atij iu ofrua posti i këshilltarit në Bankën e Anglisë. Ai ka shërbyer edhe si këshilltar i Programit Ekonomik Ndërkombëtar në Chatham House nga viti 2004 deri në vitin 2007 dhe ka qenë Drejtor i Qendrës së Bankës së Anglisë për Studimet e Bankave Qëndrore.

SHKARKO APP