Mario I. Blejer, lidhjet e tij me Shqipërinë që nga ‘91

Blejer ka një lidhje me Shqipërinë nga viti 1991, kur kreu një studim mbi ekonominë shqiptare në bashkëautorësi me ekspertë të tjerë të Bankës Botërore dhe FMN në fund të sistemit komunist.

 Nga Gjer Erebara*

Mario I. Blejer është i mirënjohur si ekonomist dhe si opinionist i rangut ndërkombëtar për shkrimet e tij mbi ekonominë botërore dhe në veçanti për ekspertizën për vendet e botës në zhvillim.

Studimi i tij për Shqipërinë sugjeron se problemet ekonomike të Shqipërisë komuniste ishin prezente që nga fillimi, por këto probleme fillimisht qenë fshehur nga financimet e Bashkimit Sovjetik e më pas, nga ato të Kinës, kohë gjatë së cilës Shqipëria krijoi një rezervë valutore të konsiderueshme.

Problemet u bënë evidente pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën në vitin 1978 por sërish komunizmi qe në gjendje të mbijetonte edhe për një dekadë tjetër duke përdorur rezervën valutore të krijuar më herët. Studimi sugjeron se goditja e fundit iu dha regjimit komunist nga një valë thatësirash në vitet 1987 dhe 1988 si dhe një thatësirë edhe më e madhe në vitin 1990.

Nga ana tjetër, Blejer, argjentinasi 66 vjeçar, ndonëse i huaj, ka një lidhje me Shqipërinë. Në vitin 1991, pak para se Shqipëria të anëtarësohej në grupin e institucioneve financiare ndërkombëtare, ai erdhi në Shqipëri si ekspert i Bankës Botërore dhe udhëhoqi grupin e ekspertëve ndërkombëtarë që analizuan ekonominë shqiptare para anëtarësimit të Shqipërisë në këto institucione.

Blejer ka lindur në Kordoba të Argjentinës në vitin 1948. Ai ka studiuar ekonomi dhe histori hebraike në Universitetit Hebraik të Jeruzalemit në vitin 1970 si dhe ka marrë master në ekonomiks nga i njëjti institucion në vitin 1972. Ai fitoi Ph.D në ekonomi në Universitetin e Çikagos në vitin 1975 dhe dha leksione në Universitetin e Bostonit deri në vitin 1980.

Në këtë vit u filloi të punojë në Fondin Monetar si këshilltar në politikat monetare, kursin e këmbimit dhe politikat fiskale. Në vitin 1992 ai punoi si Këshilltar i Lartë në Bankën Botërore për Politikat e Europës dhe Azisë Qëndrore. Këto qenë vitet e rënies së komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik. Ai shërbeu te sektori i studimeve dhe Bordi Editorial i Studimeve të FMN-së deri në vitin 1996.

Blejer u kthye në Argjentinë në momentin kur vendi i tij hyri në krizën e borxheve sovrane në vitin 2001 kur pranoi ofertën e Presidentit Fernando de la Rúa për të punuar si zëvendëspresident i Bankës Qëndrore të këtij vendi gjë që i dha fund karrierës së tij 21 vjeçare në institucionet financiare ndërkombëtare.

Blejer u largua shpejt nga posti i Guvernatorit të Bankës Qëndrore të Argjentinës pasi u përball me krizën e thellë monetare dhe financiare të vendit që detyroi qeverinë të imponojë kufizime në tërheqjen e depozitave bankare si dhe të zhvlerësojë monedhën e vet.

Ai punoi pas kësaj në Qendrën për Studime mbi Bankingun Qëndror në Bankën e Anglisë.

Ai u kthye në Argjentinë në vitin 2010 ku u përfol sërish si kandidat për guvernator të Bankës Qëndrore të Argjentinës. Që nga ajo kohë bën analiza mbi ekonomiksin në disa publikime të rëndësishme ndërkombëtare.

*BIRN

SHKARKO APP