Marrëveshja e detit, pikëpyetjet e deputetëve për negociatat me Greqinë

Zhurma por edhe pikëpyetjet që kanë dalë pas deklaratës së kreut të diplomacisë greke për një marrëveshje për kufirin detar me Shqipërinë duket se do ta rikthejë sërish Ministrin e Jashtëm shqiptar në një seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm. Përfaqësues të shumicës thanë se nuk ka dijeni dhe se nuk duhet besuar çfarë thotë pala greke, ndërsa opozita hodhi dyshime të forta duke kërkuar transparencë të plotë.

Një deklaratë e Ministrit të Jashtëm grek për marrëveshjen e detit ka shkaktuat reagime të forta në politikën shqiptare.

Edhe pse ishte në Komisionin e Jashtëm  dy ditë më parë, ministri Ditmir Bushati do të thirret sërish në një seancë të posaçme dëgjimore vetëm për të bërë transparencë mbi atë çfarë është rënë dakort me palën greke.

A ka rënë dakord Ministri i Jashtëm shqiptar për ti lënë Greqisë një shtrirje12 milje në det apo jo, këtë nuk e di as vetë kryetarja e Komisionit dhe ish-ministrja e Mbrojtjes.

Mimi Kodheli: Meqenëse ka një interes të madh publik lidhur me vazhdimësinë e bisedimeve, ne do të jemi përsëri këtu për ti rikërkuar Ministrit një shpjegim.

Por edhe pse nuk di detaje, kryetari i grupit parlamentar  të PS-së, Taulat Balla, tha se bëhet fjalë për keqinformim.

Balla: Mos bini pre e keqinformimeve mediatike. Siç e dini deri tani nuk ka asgjë të bërë publike.

Opozita në një zë si PD dhe LSI kërkuan transparencë dhe hodhën akuza duke thënë se nuk presin asgjë më shumë nga ajo që është firmosur në vitin 2009 dhe që Kushtetuesja e rrëzoi.

Shehu: Jam i bindur se nuk është se do ti japin Shqipërisë elementë më të favorshëm seç ka pasur në 2013.

Gjosha: Ajo çfarë kërkojmë është të kryhet transparenca, pse jo të na vihen në dispozicion procesverbalet e diskutimeve që kanë ndodhur.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati  sqaroi të martën në mbrëmje se marrëveshja do të jetë më e favorshme se ajo e arritur në vitin 2009 dhe se është e bazuar në parimet e konventës për të drejtën e detit dhe në vendimarjen e gjykatës kushtetuese.

Mediat greke e kanë interpretuar deklaratën e Kotzias si në favor të shtetit të tyre edhe pse publikisht nuk ka asnjë koordinatë ekzistenca e të cilave do ti jepte përgjgije shumë pikëpyetjeve dhe dyshimeve.

SHKARKO APP