Marrëveshja me CEZ, Leskaj: U shkaktua një dëm prej 479 mln €

Kreu i kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj ka raportuar sot në komisionin hetimor për marrëveshjen e CEZ ku ka thënë se KLSH ka audituar procedurat e ndjekura për marrëveshjen ku është konstatuar se është shkaktuar një dëm prej 479 milion eurosh.

Sipas tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë auditime profesioniste por ekspertët e këtij institucioni nuk auditojnë zbatimin e politikave.

Por ai ka shtuar se ka pasur shkelje të rënda proceduriale të cilat nuk u morën parasysh nga kunsulentët ndërkombëtar.

“Audituam procedurat. Auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë qenë profesioniste. Ne nuk bëjmë politika, por auditojmë zbatimin e tyre.Audituam procedurat negociatat, strategjinë e grupit të punës. Kemi audituar korespondencën mes institucioneve, si dhe dy konsulentëve ndërkombëtarë. Audituam edhe pasqyrat financiare të CEZ dhe KESH. Janë shkaktuar shkelje të rënda proceduriale, nuk u morën parasysh opinionet e konsulentëve ndërkombëtarë. U shkaktua një dëm prej 479 milionë eurosh. Si pasojë e marrëveshjes, shteti shqiptar do përballet me humbje dhe në të ardhmen” ka thënë Leskaj.

Lidhur me procedurat e marrëveshjes, Leskaj ka shtuar se duhet të ngrihet një komision parlamentar për shqyrtimin e tyre dhe pasojave që kanë shkaktuar.

Sa i përket kallëzimit të bërë, ai ka thënë se prokuroi i çështjes e ka pushuar çështjen.

“Procedurat e marrëveshjes u keqmenaxhuan dhe u neglizhuan. Të ngrihet një komision parlamentar për shqyrtimin e procedurave dhe pasojave. Kemi bërë kallëzim penal për shkeljet e rënda në marrëveshjen me CEZ për shpërdorim detyre nga Ministri i Energjetikës. Prokurori i çështjes ka pushuar çështjen në kundërshtim me ligjin. Kemi bërë ankimim në Gjykatën e Lartë për vazhdimin e çështjes” tha ai.

SHKARKO APP