Marrëveshja për detin, Kotzias: Në pritje të autorizimit nga Presidenti shqiptar
Në një intervistë për radion “ERT”, ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias i ka cilësuar “lajme të rreme” ato që deklarohen për paktin detar me Shqipërinë nga partia “Demokracia e Re”, duke iu referuar ish-ministres Dora Bakojanis.
Sipas Kotzias, kundërshtarët e tyre politikë në Greqi janë kontradiktorë në akuzat që bëjnë për falje të hapësirës detare ndaj Shqipërisë.
“Kam lexuar disa fakte që nuk ekzistojnë, për të cilat më akuzojnë. Nga njëra anë më akuzojnë se unë nuk jam në dijeni të asaj që po ndodh me këto procedura, por nga ana tjetër më akuzojnë për përmbajtjen e këtyre procedurave”, u shpreh ministri.
I pyetur se në çfarë faze është marrëveshja Shqipëri-Greqi për hapësirën detare në Jon, ministri Kotzias dha këtë përgjigje: “Ne jemi në fazën kur Presidenti i Shqipërisë duhet të japë autorizimin për një grup negociator të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që të negociojnë me ne.
Dhe përderisa ka ende një proces institucional në Shqipëri, po akuzohem për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që do ta negociojmë pasi të japë leje Presidenti i Shqipërisë. Sigurisht që tashmë kemi negociuar dhe ato që po thuhen për humbjen në Jon, është imagjinatë për të gjetur shkas që të fajësojnë politikën e jashtme. Mendoj se ka disa njerëz që nuk e kanë idenë e politikës së jashtme”. /tvklan.al