Marrëveshje me Gjermaninë për interkonjeksionin. Batutat e Ramës nga projekti tek… Shkodran Mustafi

* Rama: Dje ‘mendonim’ se ishim të dytët pas Gjermanisë, sot e dimë se mund t’ju konkurrojmë vetëm në futboll

Shqipëria ka firmosur sot marrëveshjen me Gjermaninë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Maqedoninë. Është një shumë prej 85 milionë eurosh që do të jepet për dy vitet e ardhshme.

Rama: Ka investime konkrete në dy fusha, energjia dhe mjedisi. Gjermania ka dhënë një kontribut fantastik. Por një nga xhevahiret më të shkëlqyer është kontributi i Gjermanisë për linjën e interkonjeksionit me Kosovën, një autostradë energjie jo vetëm për rritjen dhe diversitetit të energjisë, duke u vendosur në raport komplementar Shqipëria dhe Kosova por edhe në funksion të tregut rajonal. Ne çojmë më tutje projektin tjetër të interkonjeksionit me Maqedoninë, i cili është një lidhje  tjetër energjetike nga Turqia, Bullgaria, Maqedoni dhe Shqipëri.

Kryeministri Rama vlerësoi investimet gjermane, ndërsa nuk munguan as batutat, duke theksuar se deri pak vite më parë Shqipëria konsiderohej e dyta në ekonomi pas Gjermanisë, ose siç tha kreu i qeverisë, si një “luan i vogël” ekonomik. Rama u shpreh se e shumta që synon Shqipëria është ta mundë të futbollë.

Rama: Përsëri do të nënvizoj që ndihma gjermane është para dhe në volumin e parave e vendos Gjermaninë si një donator të pazëvendësueshëm, por mbi të gjitha është dije dhe kulturë administrimi. Kjo ka bërë që kontributet e Gjermanisë të jenë kontribute me rezultate mbresëlënëse. Mjafton të kujtojmë ujësjellësit, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është aspekti i investimit tek njerëzit. Unë kam besuar dhe besoj se nëse e gjithë ndihma e huaj do të ishte në cilësinë e ndihmës gjermane, do të kishim një efektshmëri më të lartë.

E dimë të gjithë se si sa ka qenë situata për vite të tëra. Ka qenë një kohë jo para shumë vitesh që këtu mendohej se këtu ishim të dytët pas Gjermanisë si një luan i vogël i ekonomisë, por unë besoj se kemi vite dritë larg jush dhe shpresoj të përfitojmë nga drita e diturisë. E vetmja gjë që duam është t’ju mundim në futboll. Më shumë se kaq nuk mund të arrijmë asnjëherë. Edhe nëse nuk ju mundim, në skuadrën tuaj ka shqiptarë. Gjermania ka fanellë hijerëndë. Në këtë bashkëpunim bilateral, Shkodran Mustafi ka fuqinë e interkonjeksionit, ose më shumë se kaq.

Nga ana e tij, sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Ministrinë Federale te bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Republikës Federale të Gjermanisë Hans-Joachim Fuchtel, tha se fushat kryesore të investimi është arsimi profesion, mjedisi dhe energjetika.

Fuchtel: Bëhet fjalë për një shumë prej 85 milionë euro që do të jepen dy vitet e ardhshme. Është shumë mirë që jemi mbledhur sot këtu për nënvizuar bashkëpunimin e mirë, i cili ka edhe përkujdesjen e kancelares dhe zt. kryeministër. Gjermania është e gatshme të vazhdoj mbështetjen e saj të mëtejshme në rrugën e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian.  E rëndësishme për kancelaren federale është që Gjermania të ndihmojë edhe për kushtet e jetesës të qytetarëve të Shqipërisë, duke iu dhënë para se të gjithave të rinjve një perspektivë zhvillimi. Ne mbështesim dhe fokusohemi në sektorët e mposhtëm, duke nxitur zhvillimin e punësimit dhe në mënyrë të veçantë arsimin profesional, si dhe në fushën e energjisë. Në këtë kontekst kemi dhënë 30 milionë euro për përmirësimin e furnizimit me energji.

Batutat e Ramës me investitorët gjermanë

Është firmosur paraditen e sotme marrëveshja me Gjermaninë për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni. Në aktivitetin e zhvilluar në godinën e Kryeministrisë, kreu i Qeverisë ka vlerësuar kontributin e Gjermanisë, jo vetëm atë financiar, por edhe atë profesional, për projekte të ndryshme në Shqipëri.

Duke iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit Berisha, se “Shqipëria ishte e dyta pas Gjermanisë”, Rama tha se sot “mendohet” ndryshe. Ajo që sipas Ramës mund të ëndërrojnë shqiptarët është që “ta konkurrojmë Gjermaninë vetëm në futboll, pasi tjetër gjë nuk mund të arrijmë”.

“Ka patur një frazë këtu, ku ne mendonim se ishim të dytët pas Gjermanisë si një luan i vogël, por unë besoj se kemi vite dritë që na ndajnë. Mendoj se sa më shumë të mësojmë nga drita juaj, aq më mirë është. Kur bëhet fjala për konkurrence, e vetmja që mund të dëshirojmë është t’ju mundim në futboll, tjetër gjë nuk mund të arrijmë. Por edhe po nuk ju mundëm, prapë jemi të pranishëm edhe në skuadrat tuaja. Shkodran Mustafi, nuk është i juaji, është i yni, ju e morët. Ka fanellë më hijerëndë, sidoqoftë në këtë bashkëpunim bilateral, ai ka peshën e interkonjeksionit që ne sot firmosim. Madje rrezik se është më i shtrenjtë se interkonjeksioni”, u shpreh kryeministri.

Kreu i Qeverisë u ndal edhe tek linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, si dhe tek mbështetja e ofruar nga Gjermania në sektorë të ndryshëm në vend.

 

SHKARKO APP