Masterplani strategjik – UKT tender 75 milionë lekë për shërbimin e konsulentit

Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranës do të kontraktojë një kompani konsulente, e cila do të përcaktojë qartë hapat që duhen ndjekur për të arritur objektivat e UKT:

  • Ofrimin e shërbimit të vazhdueshëm 24 orë ujë në ditë për mbi 1 milion banorë;
  • Reduktimi i ujit pa të ardhura;
  • Zhvillimi i performancës së drenazhimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura;

Kompania fituese do të hartojë atë që quhet “Masterplani” i zhvillimit teknik dhe strategjik të furnizimit me ujë dhe rrjetit të Kanalizimeve për qytetin e Tiranës.

UKT ka caktuar një fond maksimal prej 75 milionë lekësh për këtë shërbim, ndërsa ofertat do të mund të dorëzohen deri më 23 Gusht 2017.

Kriteret për përzgjedhjen e fituesit do të bëhen në bazë të çmimit dhe propozimit teknik, ku vlerësohen sipas rëndësisë: metodologjia e propozuar, kualifikimet e stafit kryesor të propozuar, përvoja për punë të ngjashme dhe transferimi i njohurive.

Masterplani do të realizohet në 2 faza, ku faza e parë do të zgjasë tre muaj dhe përmban hartimin e masterplanit afatmesëm të zhvillimit teknik; ndërsa faza e dytë që do të shtrihet në një periudhë dy-vjeçare ka të bëjë me azhurnimin, monitorimin dhe kontrollin e këtij masterplani.

Plani do të përfshijë, përveç arkitekturës e IT e nevojshme, edhe transformimet e organizimit të punës.

Pak kohë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi kryerjen e investimeve me vlerë 220 milionë euro në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së UKT.

Pak ditë më parë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vendosi t’i japë Shqipërisë një kredi prej 30 milionë eurosh për këto projekte, me kushtin që 15 milionë euro të jepen pasi UKT të përfundonte studimin për Burimet Strategjike të Ujit.

SHKARKO APP