Matthaus sulmon Ozilin: Duhet të tërhiqet nga Gjermania

Mesut Ozil është bërë shënjestra e Lothar Matthaus, pasi ky i fundit, fitues i Kupës së Botës në vitin 1990, fajëson yllin e Arsenalit për “mungesë shpirti”.

29-vjeçari Ozil luajti për 90 minuta në humbjen tronditëse të Gjermanisë, 0-1 përballë Meksikës të dielën e kaluar, ndërsa ka qenë pjesë e ekipit gjatë triumfit në Botërorin e Brazilit, por tashmë përballet me shumë kritika mbi kontributin e tij te Kombëtarja gjermane.

Duke shkruar në revistën e mirënjohur “Bild”, Matthaus shprehet se “një apo dy vitet e fundit Ozil ka qenë shumë herë më i dobët, madje në një nivel që nuk e justifikon besimin që i ka dhënë trajneri Low”.

“Ajo që më bën të zhgënjehem është gjuha negative e trupit që shfaq ai. Duket sikur e kanë marrë me zor në një ndeshje dhe nuk shfaq kënaqësi që luan”, thotë ish-mesfushori i Gjermanisë.

SHKARKO APP