Matura Shtetërore 2015, filloi dje aplikimi online
Filloi dje aplikimi online i Formularit A1 për të gjithë nxënësit që mbarojnë këtë vit gjimnazin. Pra, për të gjithë maturantët nis procesi i aplikimit në portalin e Maturës Shtetërore 2015. Teksa aplikimi për këtë formular mbaron në datën 24 mars 2015 dhe do të bëhet sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Siç bëri me dije në një dalje publike për mediat vetë zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, aplikimi online për Formularin A1 bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin dhe nën kujdesin e mbikqyrësit. Dhe se gjatë aplikimit në Formularin A1, maturantët duhet të kenë kujdes të përzgjedhin mirë lëndët me zgjedhje, duke parë koefiçentët që këto lëndë kanë në programin e studimit që ata preferojnë. Këta koeficiente janë të shpallur në faqen e Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe të ministrisë së Arsimit. Teksa në datën 25 mars 2015 fillon aplikimi online për Formularin A1Z, që është për të gjithë kandidatët që e kanë mbaruar maturën para vitit 2015. Aplikimi për këtë formular mbaron në 30 mars 2015. Edhe ky sipas një kalendari të publikuar. Më konkretisht, formularin A1Z do ta plotësojnë të gjithë personat që: kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2015-të dhe duan të bëhen pjesë e garës për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2015-2016. Por edhe ata që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, kanë bërë njehsimin e diplomës në MAS dhe duan të bëhen pjesë e garës për të ndjekur studimet në IAL-të, në vitin akademik 2015-2016. “Aplikimi online në Formularin A1Z bëhet në shkollën ku aplikanti ka mbaruar arsimin e mesëm ose në shkollën e vendbanimit që ka caktuar DAR/ZA, nën kujdesin e mbikëqyrësit”, bëri gjithashtu me dije zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj. Duke përfunduar se të gjithë aplikantët në Formularin A1Z, në momentin e aplikimit, duhet të kenë me vete dokumentacionin e nevojshëm.
Nikolla: Aplikimi zgjat deri në 31 mars
Që dje filloi procesi i aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore 2015, lajmërimin për maturantët e ka dhënë edhe vetë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në rrjetet sociale. “Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat që çdo procedurë të jetë në rregull dhe sipas afateve", shkruan Nikolla. Duke sqaruar më tej se në faqen zyrtare të ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, maturantët do të gjejnë çdo informacion që ju nevojitet. “Aplikimi për këtë formular zgjat deri në 31 mars, sipas një kalendari të përcaktuar. Ju uroj një ditë të mbarë dhe shumë suksese”, – përfundon ministrja.