Mbërrin në Tiranë misioni i ri i FMN-së

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka “zbarkuar” në Tiranë për rishikimin e pestë të marrëveshjes trevjeçare, pas miratimit të transhit të dytë dhe të tretë të kredisë që ky institucion i dha qeverisë shqiptare në fund të muajit shkurt.

Ekipi që mbërriti në Tiranë, i kryesuar nga Shefi i Misionit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, do të analizojë të gjithë sistemin e financave publike.

Burime nga ministria e Financave bënë të ditur se në axhendën e takimeve janë parashikuar të analizohen zhvillimet e fundit makroekonomike, bilanci i pagesave dhe kushtet fiskale. Në tryezën e diskutimeve pritet të shtroeht edhe buxheti i vitit 2015, dhe ndërhyrjet e mundshme në të për shkak të mosrealizimit të objektivave për periudhën 4 mujore.

Axhenda e këtij misioni parashikon takime me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe atë të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi ne mesin e muajit maj shqyrtimin e katërt të performancës ekonomike të Shqipërisë nën mekanizimin e zgjatur të Fondit (EFF). Përfundimi i rishikimit mundëson një disbursim të menjëhershëm të rreth 35.9 milionë euro, duke e çuar shumën totale të disbursuar në rreth 153.1 milion euro.

SHKARKO APP