Mbështetje deri në 1100 euro në muaj për sipërmarrësit e rinj, si të aplikoni për skemën Erasmus
Nëse sapo keni nisur një biznes, apo keni ndërmend të nisni një biznes së shpejt, atëherë ju mund të kualifikoheni për skemën e shkëmbimit të Erasmus për sipërmarrësit e rinj. Ky program mundëson që ju të kaloni kohë në një vend të Bashkimit Europian, duke punuar dhe mësuar nga një sipërmarrës me eksperiencë.
Për t’u kualifikuar ju duhet të shfaqni motivimin tuaj dhe qëndrimin për nisjen e një biznesi. Do t’ju duhet të prezantoni një ide biznesi të qëndrueshme, së bashku me një plan biznesi realistik. Ju mund të aplikoni edhe nëse keni më pak se 3 vite që e keni nisur biznesin tuaj.
Kohëzgjatja e programit është midis 1 dhe 6 muajve dhe preferohet të kryhet pa shkëputje, megjithëse është e mundur ta ndani këtë kohë në disa pjesë.
Krahas lidhjes me një sipërmarrës, programi ofron edhe mbështetje financiare për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe kostot e jetesës gjatë kohës që merrni pjesë në program. Kjo shumë varion nga shteti në shtet dhe është e pasqyruar në tabelën e mëposhtme.
Vendi ku do të qëndrojë sipërmarrësi i ri | Shuma e dhënë në muaj (euro) |
Danimarkë | 1100 |
Irlandë, Mbretëria e Bashkuar | 1000 |
Finlandë, Suedi | 950 |
Austri, Francë, Islandë, Itali | 900 |
Belgjikë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Spanjë | 830 |
Qipro, Greqi, Portugali | 780 |
Turqi | 750 |
Kroaci, Malta, Slloveni | 720 |
Estoni, Hungari | 670 |
Armeni, Çeki, Letoni, Poloni, Sllovaki | 610 |
Bullgari, Maqedoni, Lituani, Mali i Zi, Rumani, Serbi | 560 |
Shqipëri, Moldavi | 530 |
Rajonet të largëta të BE-së, dhe sipërmarrës me nevoja të veçanta | 1100 |
Ju mund të aplikoni për skemën edhe online, duke klikuar këtu, ose mund të lidheni me pikën e kontaktit në Shqipëri, duke klikuar këtu.
Dokumentet që do ju duhen për aplikim janë jetëshkrimi (CV), një letër motivimi dhe plani juaj i biznesit.
/SCAN