Mbi 14 mijë dosje në Gjykatën e Lartë, kryetari Sadushi: Një gjyqtar jep 429 vendime në vit
Gjykata e Lartë ka dhënë gjatë këtij viti afro 19 vendime në ditë, duke përfshirë ditët e pushimit. Kryetari Sokol Sadushi, thotë se këto shifra nuk janë normalitet dhe as ofrojnë zgjidhje në kohë për qytetarin.
“Ulja e backlog në 61%, duke e reduktuar në 14 081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6876 vendime. Çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht 429 vendime në vit. Këto shifra nuk janë normalitet gjyqësor, ato janë stërmundim profesional”, tha Sadushi në konferencën e fundvitit. Sokol Sadushi tregoi se ende po shqyrtohen dosje të depozituara 9 vjet më parë. ”Kolegji civil po përfundon çështje të vitit 2016, po kalon në vitin 2017 dhe tek tuk ndonjë çështje e procedurës së veçantë e vitit 2018”, u shpreh Sadushi.
Panorama është e errët në të gjithë sistemin gjyqësor, sipas kreut të Gjykatës së Lartë. “Mungesa e gjyqtarëve është pjesa themelore e sistemit të drejtësisë. Me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese kur Shkolla e Magjistraturës, deri në vitin 2028 do të nxjerrë jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi kreu i Gjykatës së Lartë.
Ai kërkon që Këshilli i Lartë Gjyqësor të marrë masa për të rritur pranimet në shkollën e Magjistraturës. “Gjykatat e Apelit përbëjnë hallkën më kritike të sistemit, me vetëm 55.9 % të trupës gjyqësore të parashikuar”, pohoi Sokol Sadushi. Në bilancin vjetor, kreu i Gjykatës së Lartë i kërkon qeverisë dhe Kuvendit të veprojë për të ofruar zgjidhje që ju ofrojnë qytetarëve drejtësi brenda afateve.
KOHA JONË SONDAZH

