Mbrojtja e të Drejtës së Autorit ose dështimi i Shtetit Ligjor

Nga Sali Agaj

Dymijë e treqind vjet më parë Aristoteli do të thoshte: “Mirë një njeri i shkëlqyer se sa një ligj i shkëlqyer”. Ndryshimet demokratike në vendin tone sollën një rregullim të ri të konceptit të së drejtës së autorit dhe e përshtatën atë me konceptin bashkëkohor. Që në vitin 1992 janë miratuar dy ligje, plotësuar dhe me disa akte nënligjore që kanë patur si qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, por zbatimi i tyre ka ngelur në nivelin më të ulët të mundshëm për një shoqëri me standarde të vërteta të një shteti ligjor. E drejta e autorit përbën sot një histori moderne, ekonomike dhe të suksesshme, duke llogaritur rreth 100 milionë të vendeve të punës në mbarë botën. Rritja dramatike e industrive artistike e kulturore dhe e industrive të tjera krijuese në ditët e sotme mund të ishte e pamundur, pa nivelet e larta të mbrojtjes së të drejtës së autorit, që këto vende kanë zhvilluar prej shumë dekadash.

Industritë e bazuara në të drejtën e autorit në Europë vlerësohen në 360 miliardë euro dhe në SHBA 340 miliardë $, duke përfaqësuar kështu më shumë se 5% te GDP së këtyre vendeve. Në epokën e tregtisë elektronike, materialet me të drejtë autori do të jenë një nga ‘mallrat’ më të vlerësuara për t`u ofruar dhe shitur online. Fatkeqësisht të dhëna lidhur me numrin e subjekteve që operojnë në industrinë e të drejtës së autorit në vendin tonë, shifrën e afarizmit dhe numrin e punonjësve, etj. të nevojshme për qëllime studimore apo vlerësim të perfomancës në këtë fushë, nuk administrohen as nga Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit (ZSHDA) dhe as nga Instituti i Statistikës. Legjislacioni i të drejtës së autorit është pjesë e një legjislacioni më të gjerë, i njohur si pronësi intelektuale. Sot në botë, rregullimi ligjor i së drejtës së autorit nuk është vetëm një aspekt i së drejtës kombëtare të çdo shteti, por ai ka marrë përmasa ndërkombëtare, duke u bërë kështu objekt i rregullimit normativ edhe nga marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet shteteve pjesëmarrëse në këto traktate.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër të garantojë të njëjtin nivel mbrojtjeje të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura, me vendet e tjera të BE. Megjithëse ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit u miratua në prill 2005, ZSHDA filloi funksionimin të saj me 5 shkurt të 2007 me këmbënguljen e ish-ministrit, z. Bujar Leskaj.        Që prej vitit 2010, progres-raporti i KE për Shqipërinë, raporton progres të limituar përsa i takon të drejtave të autorit. Raportet e progresit të Komisionit Europian theksojnë nivelin e ulët të zbatimit të ligjit aktual për të drejtën e autorit, funksionimit e dobët të ZSHDA-së, mungesën koordinimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, aktorët kryesorë për zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit dhe problemet kritike me agjencitë e administrimit kolektiv, të cilat administrojnë të drejtën e autorit në treg. Nga viti 2010 me propozim të ZSHDA, nga Ministria e Kulturës janë licencuar katër agjenci të administrimit kolektiv. Duke ju referuar të ardhurave që raportojnë katër agjencitë e administrimit kolektiv në Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit vërehet se ato janë të papërfillshme, po t’í krahasojmë me vendet e tjera të Europës lindore.                   

ZSHDA ka qenë përfituese e një projekti të IPA-s me një vlerë prej 800.000 Euro. Implementuar në periudhën 2010 – 2012, ku komponenti kryesor ishte përafrimi i legjislacionit me atë të vendeve anëtare të BE-së, që pati si produkt një projektligj të ri për të drejtën e autorit, megjithëse duhet thënë se ligji ekzistues është mjaft i plotë, por ashtu si edhe për shumë ligje të tjera në vendin tonë, zbatimi i tij ka lënë shumë për të dëshiruar. Ky projektligj akoma nuk ka patur fatin të miratohet nga Kuvendi dhe vazhdon të qëndrojë në sirtarët e Ministrisë së Kulturës.

E drejta e autorit është një fushat më pak të njohura dhe të respektuara në Shqipëri, vetë autorët, subjekt i këtij ligji dhe më tej publiku i gjerë kanë njohuri të kufizuara mbi mbrojtjen që i jep ligji veprës së tyre. ZSHDA nuk ka plotësuar një ndër detyrat kryesore të saj, që është edhe propogandimi në publikun e gjerë të Ligjit për të drejtat e autorit dhe aktivitetit të saj si Zyrë. ZSHDA nuk ka qenë e fokusuar në monitorimin dhe inspektimin e përdoruesve të mëdhenj, por kryesisht baret, restorantet dhe hotelet. Nuk konstatohet asnjë rast i monitorimit dhe vendosjes së masave administrative për subjekte të njohur për aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë vendit pavarësisht se është evidente që këto subjekte vazhdimisht transmetojnë vepra që mbrohen nga e drejta e autorit. Kështu gjatë vitit 2012 nga ZSHDA janë vendosur vetëm 21 masa administrative për TV kabllor dhe radio ndërsa për vitin 2013 nuk raportohet asnjë masë administrative vendosur subjekteve transmetuese, radio apo televizion. Për shkeljet e ligjit të konstatuara gjatë inspektimeve në periudhën 2010 – 2013, ZSHDA ka vendosur gjoba (siç e përmendëm më sipër, në shumicën e rasteve ndaj subjekteve me aktivitet të vogël) në një vlerë gjithsejt prej 64 milionë lekë, nga këto ka arkëtuar vetëm 1.3 % dhe në ato raste kur subjektet kanë qenë të detyruar të kryejnë veprime administrative pranë kësaj Zyre. Për përdoruesit e të drejtave të autorëve shqetësim kryesor janë tarifat e larta të vendosura nga Agjencitë, mungesa e transparencës lidhur me metodologjinë për përcaktimin e tarifave dhe kontratat që agjencitë kanë me autorët vendas sidhe kontratat e përfaqësimit për autorët e huaj. Shoqata e Hotelierëve Shqiptarë është ankuar edhe zyrtarisht pranë ZSHDA për këto tarifa duke sqaruar se agjencitë e ndryshme operojnë me çmime të ndryshme të cilat janë më të larta se të gjitha vendet në rajon.

Mosrespektimi i të drejtave të transmetimit në programet radiotelevizive pranohet edhe nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Ai është e pranishëm dhe i shtrirë në të gjithë llojet e subjekteve, por mbetet më i theksuar sidomos në operatorët radiotelevizivë kabllorë dhe operatorët radiotelevizivë analogë vendorë. Në Shqipëri ushtrojnë veprimtarinë rreth 60 televizione kabllore, ku disa prej këtyre televizioneve nuk janë të licencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, prandaj agjencitë kanë patur të pamundur, monitorimin dhe vjeljen e të ardhurave prej tyre. Pjesa më e madhe e dokumentacionit të depozituar pranë AMAs vazhdon të jetë i paregjistruar dhe i pacertifikuar nga ZSHDA-ja.

            Autorët ngrenë shqetësimin e keqmenaxhimit të arkivës së krijimtarisë muzikore gjë për të cilën bëjnë përgjegjëse Radio Televizionin Publik që administron këtë arkiv, duke e akuzuar atë se për fitime personale të drejtuesve të tij, shpesh u ka ofruar televizioneve private vepra të autorëve shqiptarë, duke cënuar hapur ligjin për të drejtën e autorit. Zhvillimi i shpejtë të teknologjisë së informacionit ka sjellë çeljen e shumë faqeve të internetit të cilat shfrytëzojnë pa autorizim dhe pa pagesë vepra të autorëve të ndryshëm. Nga auditimi u konstatua se ka munguar bashkëpunimi i ZSHDA me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2012-2013, për bllokimin e website-ve shqiptare që cenojnë të drejtën e autorit.  Procesi i monitorimit të aktivitetit të agjencive të administrimit kolektiv (AAK) nga ZSHDA ka qenë i dobët. AAK nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore për dhënien e informacioneve që kanë lidhje me aktivitetin e tyre financiar, vendimmarrjen për miratimin e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave tek titullarët e të drejtave si dhe dërgimin e tarifave të miratuara nga organet kryesore të agjencive në kohën që parashikohet në ligj.

*Kontrolli i Lartë i Shtetit

 

SHKARKO APP