Mbyllet procesi i fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat, përfitojnë edhe 6,309 tatimpagues të tjerë
Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve implementoi fazën e dytë duke përmbyllur procesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat.
Gjatë ditës së djeshme nga fshirja automatike e këtyre deklaratave, që duhet të dorëzoheshin deri më 30 Qershor, kanë përfituar edhe 6,309 tatimpagues të tjerë. Në total 111,356 subjekte në status aktiv dhe pasiv kanë përfituar nga fshirja automatike e gjobave për mosdeklarim në kohë. Llojet e dënimeve që janë fshirë nga sistemi elektronik për deklarim të vonuar janë:
Listpagesë e TAP
Deklarata të TVSH-së,
Deklarata për destinimin e fitimit
Deklaratë Tatim Fitimi/Tatim i Thjeshtuar i Fitimit
Taksa Kombëtare etj.
Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike njoftimin përkatës.
Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni.
Kujtojmë se tatimpaguesit duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjenden të publikuara në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”. /Monitor/