Me dy shishe ujë në Kuvend, deputetja e PS-së shpreh shqetësimin për ndotjen e Drinit: Lumi s’bën politikë
Deputetja e PS-së, Marjana Koçeku në foltoren e Kuvendit doli me dy shishe ujë. Në njërën gjendej ujë kristal, ndërsa në tjetrën, ngjyra e tij ishte e turbullt, e verdhë në kafe. ”Ky është uji i Drinit siç e mban mend gjyshi im, i gjallë, i ftohtë, i pastër, siç ka qenë dikur. Ndërsa ky, është uji i Drinit sot siç e shohin mijëra vizitorë dhe mysafirë që vijnë nga të tëra anët e botës për të parë Shqipërinë”, tha Koçeku.
Nga ana tjetër deputetja se janë mbi 30 bujtinarë që nuk kanë një përgjigje për turistët që pyesin se ç’po ndodh me Drinin. Ajo shtoi se cilësia e lumit tashmë është e dobët dhe pavarësisht një përpjekjeje vullnetare për të larguar 30 ton plastikë, gjendja është drastike. Koçeku u shpreh se për Drinin s’është fajtore as Shqipëria e as Kosova, por të dyja vendet duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ndërkufitare për të zgjidhur problemin.
”Është pasojë e dy shteteve shqiptare që ende nuk kanë mundur të zgjidhin bashkë një problem të përbashkët. Unë sot po kërkoj pikërisht këtë: ta zgjidhim bashkë. Zgjidhja ekziston dhe ekspertët e kanë thënë. Së pari, na duhet një marrëveshje ndërkufitare mes Shqipërisë e Kosovës dhe veprim konkret. Së dyti, rrjeta e barriera në rrjedhën e Drinit të Bardhë e të Zi për me dalë mbetjet para se të kalojë kufirin.
Së treti, investim në impiante pastrimi të ujërave të zeza në komunat kosovare përgjatë Drinit me bashkëfinancim prej BE, i cili ka tashmë 50 milionë euro të alokuara për ujin në veri. Së katërti, monitorim të vazhdueshëm, jo 4 herë në vit, por çdo muaj dhe me raporte publike. Kjo shishe nuk ka ngjyrën e Shqipërisë, as të Kosovës. Ka ngjyrën e dështimit të dy shteteve për të mbrojtur atë që është më e rëndësishmja: natyrën, ujin, të ardhmen tonë. Lumi as nuk pret, as nuk bën politikë”.
KOHA JONË SONDAZH

