Më e pakta një “më fal” për zonjën Leskaj

Nga Lek Dodani*/Në një kohë kur përbaltja është bërë një mënyrë e rëndomtë dhe primitive e gjallimit të oborreve partiake, konsumimi i fjalorit demode dhe anakronik ndaj femrave të politikës është një realitet më se i vrazhdë në Shqipëri. Të gjithë jemi dëshmitarë të sulmeve të paprecedentë dhe me një fjalor tejet agresiv të ish- Kryeministrit ndaj zonjës së nderuar Valentina Leskaj.

Akuzat ishin absurde dhe nuk tregonin asgjë tjetër veç ngutjes së lidershipit fanatik blu për të njollosur eksponentët më në zë të maxhorancës.

Por Gjykata Kushtetuese e tha fjalën e saj dhe ky vendim që i bën nder shtetit dhe institucioneve të së drejtës në këtë vend, ra në vesh të shurdhër.

Ish lideri i PD-së që ditë e natë përbetohet për drejtësi, nuk e tha një fjalë për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e çliron zonjën Leskaj nga çdo paragjykim e njollosje për akuzat e pa vend ndaj saj.

Më e pakta, lypsej një “më fal” për zonjën Leskaj. Një më fal nga zoti Berisha dhe nga të gjithë eksponentët kryesorë të PD-së që e kanë lakuar emrin e saj me të padrejtë në Kuvend e jashtë tij.

Më e pakta, një “më fal” për llumin e hedhur ndaj saj dhe familjarëve të saj, në një mënyrë të vrazhdë e cinike, që e bën aktin e tendencës për njollosje më të vrazhdë e më absurd.

Më e pakta, një “më fal” për zonjën Leskaj, për djalin e saj, për gratë e selisë rozë dhe të gjithë politikës shqiptare, për mënyrën e vrazhdë e diabolike me të cilën merren nëpër gojë me të padrejtë protagonistet politike femra.

 Zonja Leskaj është një nga gratë më kurajoze të futura në politikën shqiptare, me një përvojë mbi njëzetvjeçare dhe me benefice intelektuale, njerëzore e politike të admirueshme. Ajo është nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionare e strukturave të Komunitetit Evropian, me një CV që i bën nder jo vetëm asaj, por gjithë PS-së dhe pjesës femërore të angazhuar në politikë.

Zonja Leskaj asnjëherë gjatë karrierës së saj të gjatë politike nuk ka hedhur baltë mbi kundërshtarët e saj, por gjithmonë ka qenë racionale dhe e përgjegjshme në të gjitha shqiptimet e saj politike.

Llumi i derdhur ndaj saj duhet ta bëjë me turp lidershipin e vetëquajtur të djathtë dhe ish- liderin Berisha, që ka ardhur koha të jenë më racionalë në formulimet e akuzave të tyre, veçanërisht kur flitet për një femër dinjitoze si zonja Leskaj.

E përsërisim, më e pakta, një “më fal” për akuzat e ngritura me fanatizëm dhe ditën për diell, për llumin e hedhur ndaj saj dhe familjarëve të saj, në një aspak demokratike e dinjitoze, do të zhbënte vetëm një pjesë të vogël të fajit, por jo gjithë fajin ndaj kësaj zonje të politikës shqiptare.

*Kryetar i Bashkimit të Shoqatave Shqiptare, Lion, Francë

SHKARKO APP