Me një dorë e një sy, 44-vjeçari drejton sukseshëm servisin e celularëve

Një  44 vjeçar, i gjymtuar nga duart dhe tek njëri sy pas shpërthimit të një bombe në moshën 11 vjeçare, rrëfen për Ora News historinë e jetës së tij. Fatmir Kullolli bën një jetë normale, ka ngritur një biznes të vogël dhe u apelon personave me aftësi të kufizuar që të jenë aktivë, dhe të mos rrinë në pritje të ndihmës ekonomike nga shteti.

Jeta e tij mori një kthesë dramatike në moshën 11 vjeçare, më 20 prill 1983, kur Fatmir Kullolli së bashku me bashkëmoshatarët e fshatit të thellë malor të Poroçanit në Gramsh, shpërthyen një bombë të vjetër e cila i kushtoi njërin sy, dorën e majtë dhe i gjymtoi pjesërisht të djathtën.

Por Kullolli thotë se nuk u dorëzua kurrë, pavarësisht vështirësive.

Fatmir Kullolli: Mu dha e drejta e studimit për të vazhduar shkollën e mesme sepse ishim të përndjekur, vazhdova pastaj. Fillova punë në Mlizë rreth ’91,  punova në postën e Elbasanit deri në ’93, në ’95 kam ikur në kurbet.

Sot në moshën 44 vjeçare ka një servis për riparimin e telefonave celularë, ku punon me mjeshtëri, pavarësisht mungesës së dorës. Fatmiri thotë se për çdo problem gjendet zgjidhja.

Fatmir Kullolli: Në momente të vështira njeriu gjen mënyrat, ndihmon shmë dhe kërkueshmëria. Nëse ke dëshirë të kërkosh vazhdon, punon.

Të shumtë janë klientët besnikë që i besojnë  44 vjeçarit.

Invalid i gradës së dytë, Fatmir Kullolli ka një mesazh për të gjithë personat si ai.

Apeli shkon për të qenë aktivë në jetë dhe të mos rrinë me shpresën e ndihmës ekonomike nga shteti.

SHKARKO APP