Më pak investime të huaja në vend, -6% gjysmën e parë të vitit

Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar një rënie prej 11.6% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rezultuar 418 milionë euro, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Rënia i dedikohet tërësisht performancës negative të tremujorit të parë, kur ato zbritën me 40% në 157 milionë euro. Në tremujorin e dytë, investimet janë përmirësuar, duke u rritur me 245 në 261 milionë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 60%), hidrokarbureve (në masën 15%), ndërmjetësimit financiar (në masën 10%), ndërtimit (në masën 4%), dhe në sektorin e telekomunikacionit (me 2%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, raporton Banka e Shqipërisë.

Përmirësimi i investimeve në tremujorin e dytë ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e punimeve për HEC-in e Devollit, një nga projektet energjetike më të mëdha në vend, dhe gazsjellësin TAP, i cili filloi vendosjen e tubave në pjesën e parë të vitit.

Këto dy investime të mëdha të pritshme në sektorin e energjisë kanë neutralizuar efektin negativ të rënies së investimeve në hidrokarbure, që deri vitin e kaluar përbënin 40% të totalit.

Në tremujorin e parë ishte pikërisht rënia e shpenzimeve kapitale në hidrokarbure, që çoi në tkurrjen e thellë të Investimeve të Huaja Direkte.

Investimet në energjetikë

Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga tre hidrocentrale me një kapacitet të instaluar prej përafërsisht 280 MW. Mesatarisht HEC-et do të prodhojë rreth 800 GWh në vit, duke ndikuar në rritjen e prodhimit shqiptar të energjisë elektrike me rreth 20 për qind. Teksa punimet kanë vazhduar për HEC-in e Banjës dhe Moglicës, vendimi për ndërtimin e HEC-it të tretë do të merret pasi të kenë përfunduar njëri ose të dy HEC-et e para. Totali i investimeve në 535 milionë euro.

Megjithatë, biznesi vendas është duke përfituar shumë pak nga nënkontraktimi i punimeve në projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe Devoll Hydropower. Kompania e energjisë norvegjeze Statkraft AS, që po ndërton hidrocentrale, ka nënkontraktuar pesë operatorë për ndërtimin e të paktën dy hidrocentraleve në kaskadën përgjatë lumit Devoll, nga të cilët vetëm një,  Doko sh.p.k me qendër ne Elbasan, është shqiptar, të tjerët janë të huaj.

SHKARKO APP