Me PD apo LSI koalicion pas zgjedhjeve? Ruçi sqaron se PS bën…
Marrëveshja Rama-Basha, që nuk lejoi koalicione parazgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit, ka çuar në idenë se PS-PD, bëhen bashkë në qeverisje. Dilemës me kë parti bën koalicion PS-ja, e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Sipas tij, koalicion PS-ja bën me Shqiptarët, ku me 71 mandate, PS-ja do qeverisë e vetme, për të ndërtuar shtet.
“Shpreh bindjen dhe ju garantoj se nuk do të ketë koalicione as me PD dhe as me LSI në qeverisjen tonë pas 25 qershorit. Të votojmë të gjithë PS për të patur në krye të qeverisë tonë Edi Ramën, projektuesin e reformave më të mëdha të vendit, për të qeverisur të vetëm dhe siç dimë ne të ndërtojmë shtet”- u shpreh më tej kreu i grupit të PS-së.
Nga Fieri, qark ku edhe kandidaton, Ruçi u shpreh se vota duhet të jetë masive për PS-në dhe Edi Ramën për të qeverisur të vetëm. Ai shtoi se marrëveshja me PD-në, u bë për të mirën e vendit.
“Marrëveshja me PD, ishte një marrëveshje në të mirë të vendit. Askush nuk dëshiron prishjen e stabilitetit që kemi arritur, askush nuk do të dëshironte të vihej në diskutim rezultati zgjedhor” ka thënë kandidati Ruçi.
Ruçi nënvizoi se në këto zgjedhje, nuk ka ankth apo frikë dhe se humbësi pranon humbjen. “Për herë të parë në këto zgjedhje nuk ka ankth dhe frikë. Janë zgjedhje kur pas numërimit të votave, humbësi të pranojë humbjen dhe fituesi të menaxhojë fitoren”, tha ai.