Mediat dhe Politika

Nga Gëzim Mekuli –

Ndërkombëtarëve iu duhet ruajtur privilegji për të paraqitur të parët realitetin. Asnjëri prej këtyre shtytësve nuk është i nxitur profesionalisht, por ideologjikisht dhe politikisht. Si rezultat i këtij politizimi dhe klanizimi të çdo sfere të shoqërisë shqiptare, kemi edhe ngecje të shitjes së shumë gazetave, si edhe mosdëgjueshmëri dhe mosshikueshmëri të programeve të stacioneve të ndryshme radiotelevizive.

Të dashur lexues,
Me plot të drejtë mund të themi se sot në Kosovë është duke u riaktivizuar ndjenja e frikës, ndjenjë kjo e fituar nga izolimi dhe lëçitja që është duke iu bërë shumë intelektualëve e mendimeve kundërshtare. Shumë intelektualë, të cilët janë duke e kuptuar se i përkasin klimës “së opinionit pakicë”, janë duke u vetëtërhequr dhe janë duke u bërë më pasivë. Këta janë të vetëdijshëm se në këto media nuk kanë mundësi ta thonë mendimin e tyre.
Përpos opinionit, viktimë e elitës institucionale u bënë edhe gazetarët tanë. Përqendrimi i gazetarisë së lajmit në burime të nxjerra nga ekspertë ushtarakë dhe politikë ndikon në përforcimin e monopolit të “modelit të të fortit.” (Shprehje e huazuar nga Stein Bråten).
Edhe më keq, kjo politikë mediale është duke na rikujtuar sezonin e tmerrshëm të TANJUG-ut jugosllav.
Ky është një tregues se shumë shtëpi mediale, e veçanërisht ato media që janë të varura ekonomikisht nga institucionet e fuqishme politike dhe donatorë të ndryshëm, janë duke marrë pjesë aktive në përforcimin e mesazhit të pushtetmbajtësve. Apo, siç shprehet Eide, mediat kontribuojnë që disa mendime dhe vlera të caktuara të marrin hegjemoni shoqërore ideologjike.
Ky ”kontribut” medial për imponimin-pranimin e ideve, të vlerave dhe të pajtimit, që të udhëhiqesh nga pjesa dominuese, realizohet përmes bindjes dhe jo detyrimit.
Ka të tjerë që nuk pajtohen me Eide dhe me modelin e propagandës së Chomsk-it. Bile, bile, ka zëra që Chomsk-in e cilësojnë edhe si marksist-leninist. Këta kujtojnë se nuk duhet minimizuar aq skajshëm fuqinë autonome e dinamike të gazetarisë në shoqëri.

Raportues apo formues të realitetit?
Para marrjes së pushtetit nga nacionalsocialistët (NSDAP) në Gjermaninë e asaj kohe kishte jo më pak se 4700 tituj gazetash ditore, javore dhe mujore. Si pasojë e ngushtimit dhe e cungimit të hapësirës demokratike e komunikative dhe ndalimit të publikimit të shtypit liberal të kohës, ky numër i gazetave ditore, marramendës për kohën, deri para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ra në 900 tituj.  Kjo nuk rrodhi si pasojë e krizës dhe e problemeve ekonomike apo nga mungesa intelektuale dhe teknike, por ishte një rrjedhojë logjike e politikës së qëllimshme mediale dhe komunikative të nacionalsocialistëve gjermanë.
E tërë kjo faqe e zezë e historisë gjermane ndodhi para shumë dhjetëvjeçarësh. Mirëpo, çuditërisht, opinionit publik shqiptar i duket se e ka të ngjallur ngjarjen e asaj kohe në kohën dhe në hapësirën ku ai jeton sot.
Pa dyshim, mediat shqipe janë të shumta në sasi. Por, nëse vlerësojmë dhe shqyrtojmë përmbajtjen e tyre redaktuese dhe qëllimet e pronarëve të tyre, mund të arrijmë në përfundim se në to ka pak cilësi gazetareske, nuk ka profesionalizëm të vërtetë. Në vend që këto të jenë goja, syri dhe veshi i shoqërisë dhe i kombit, ato po “e trullosin” atë. Shumica e këtyre mediave, për të njëjtën ngjarje, ndodhi apo takim, transmetimin dhe përpunimin e lajmit rreth të njëjtës ndodhi e ndërtojnë në mënyra, në forma dhe në përmbajtje tërësisht të ndryshme.
Kjo të lë përshtypjen sikur je duke lexuar, shikuar apo dëgjuar ngjarje të ndodhura në një largësi tejet të madhe gjeografike e kohore.
(Nëntor 2002)

SHKARKO APP