Mediu fushatë në Kavajë me Besnik Mustafajn: Vota është liria juaj, votoni PD

Kryetari i Partisë Republikane, zhvilloi një takim me banorët e fshatit Lekaj në Kavajë. Në këtë takim, Mediu shoqërohej edhe nga miku i tij, Besnik Mustafaj, i cili u prit mjaft përzemërsisht nga banorët e kësaj zone.

Mustafaj, në fjalën e tij para banorëve të Lekajt përcolli mesazhin se në Lekaj dhe në të gjithë Shqipërinë, Parti Demokratike duhet të fitojë bindshëm këto zgjedhje dhe për të realizuar këtë qëllim madhor, demokratët dhe e gjithë opozita janë bërë bashkë për një fitore që e meriton e djathta.

“Duke votuar nr. 6, duke votuar Partinë Demokratike, ju keni shansin që familjet tuaja të clirohen nga kriza që ka pllakosur anembanë e vendin” u shpreh Mustafaj.

Duke falënderuar mikun e tij për prezencën dhe mbështetjen, Mediu u shpreh para banorëve të Lekaj, se në asnjë mënyrë ata nuk mund të vazhdojnë të përdoren nga qeveria për qëllimet e saj. “As ju dhe asnjë qytetar në Shqipëri, nuk duhet të përdoret, të bëhet pjesë e pazareve për votën e tij. Vota është e shenjtë dhe duke ju marrë votën, do t’ju marrin lirinë për ju dhe fëmijët tuaj” u shpreh Mediu.

Gjithashtu kryetari i Partisë Republikane, u ndal edhe në taksat e ulëta dhe objektivat ekonomike që programi i “Republikës së Re” ka si prioritet për zonat bujqësore, por kryesisht për ekonominë individuale.

Kryetari republikan Mediu, zhvilloi edhe një takim tjetër gjatë ditës së djeshme me banorët e Fushë Domjes. Para fermerëve të kësaj zone, Mediu u shpreh se duke votuar nr. 6, duke i dhënë fitoren Partisë Demokratike, bujqësia në mbarë vendin do të marrë një mbështetje financiar dhe një zhvillim të shpejtë, duke e bërë konkurruese në Ballkan.

SHKARKO APP