Mediu: Të gjitha votat për PD-në, të largojmë qeverinë e mashtrimit

Kreu i Partisë republikane Fatmir Mediu, i cili është pjesë e listës opozitare në zgjedhjet e 25 qershorit, zhvilloi ditën e djeshme një takim me banorët e Kombinatit në kryeqytetet. Në këtë takim Mediu ishte i shoqëruar dhe nga kreu i PR-së së Tiranës, Blendi Sulaj, ku dhe ai është pjesë listës opozitare.

Gjatë fjalës së tij, Mediu, u ndal gjatë në premtimet e pambajtuara dhe dështimet e qeverisjes Rama, çka detyruan të largoheshin nga Shqipëria 100 mijë shqiptarë, ndërkohë që me mijëra të  tjerë kanë aplikuar për emigracion. Gënjeshtrat për vende pune dhe shëndetësi falas, dhuna ndaj të pamundurve dhe përkrahja e bandave dhe të fortëve në këmbim të votave dhe pazareve, e kanë shoqëruar në çdo hap qeverisjen në “Republikën e Vjetër” theksoi Mediu, e cila e shkërmoqi imazhin e Shqipërisë në botë nëpërmjet kanabizimit të të gjithë territorit.

Ekonomia e fortë me taksa të ulëta është prioriteti kryesor i “Republikës së Re”, theksoi në fjalën e tij Mediu, një sistem i cili do të ndërtohet tërësisht mbi votën e lirë të qytetarëve dhe përkrahjen e të gjitha shtresave në nevojë, duke i bërë që të gjithë pjesë të rrugëtimit tonë politik”.

Në fund të fjalës së tij, ai u kujtoi edhe një herë përkrahësve republikanë në Kombinat, se të gjitha votat duhet të shkojnë për Partinë Demokratike, si mundësia e vetme për të maksimalizuar aksionin e opozitës së bashkuar nën siglën e PD.

Ndërkohë Sulaj theksoi se ndryshimi vjen vetëm përmes të rinjve, ndërsa bëri thirrje që të gjithë së bashku të votojnë PD-në në 25 qershor.

SHKARKO APP