Mendjet e ndritura “krah” mediokritetit, falë arsimit në Shqipëri
Nga Spartak Ngjela
Shqipëria ka një histori të dhimbshme në mbijetesën e intelektualizmit të saj. Ai ka qenë i sulmuar gjithmonë, i persekutuar dhe jashtë rrjedhës normale të zhvillimit të këtij vendi. Kulmin kjo “luftë” sigurisht e kapi me regjimin komunist të Enver Hoxhës, tablo makabër kjo që tani është e zbuluar dhe e ditur. Por, gjithmonë, në funksion të kësaj, edhe Universiteti i Tiranës, si i pari universitet në këtë vend, ka vuajtur nga kjo tendencë primitive kundër dijes dhe krijimit të një koshience moderne në shoqërinë shqiptare. Pas përmbysjes së komunizmit, u mendua që intelektualizmi do të drejtonte vendin. Por ndodhi krejt e kundërta.
Komunizmi nuk e kishte frenuar dijen në funksion të shkencave të sakta, dhe mund të thuash se Universiteti i Tiranës, e kishte krijuar një fizionomi mesatare në shkencat inxhinierike, si profesion. Gjithashtu, në funksion të kësaj dije, komunizmi kishte hapur dhe funksiononin disa institute shkencorë, prandaj me të drejtë u prit, që, në vitin 1992, të proklamohej domosdoshmërisht një reformë në arsim, gjithmonë në funksion të krijimit të koshiencës së lartë dhe moderne në intelektin shqiptar. Komunizmi, si kudo, nuk e lejonte racionalizmin në ngritjen e koshiencës intelektive, por kjo tani nuk ishte më e ndaluar. Por koha e dështoi edhe këtë aspiratë. Patologjia e pushteti që u instalua dhe që ushtroi dhunë kundër intelektualizmit deri në vitin 1997, histori e njohur kjo tani, e degradoi fare arsimin e lartë shqiptar.
Dhe, për mendimin tim, me tendencë të plotë. Pas vitit 1992, arsimi i lartë shqiptar hyri përfundimisht në dekadencën e tij, dhe sot ne si shoqëri ndodhemi në një krizë të madhe të identitetit intelektual, e cila ka sjellë me vete një krizë në menaxhim. Intelekti shqiptar është i rrënuar, universitete pa asnjë vlerë, profesorat mediokër që shet notat, që nuk jep dije të lartë. Universitete pa tekste. Me ca paçavure që shiten për tregti nga një botë akademike që, në të përgjithshmen e vet, nuk njeh asgjë nga dija e lartë.
Pikërisht, përballë kësaj gjendjeje, doli befas një ligj i ri, përkatësisht një reformë, e cila të jep shpresë se ne do ta arrijmë më në fund që të fillojmë realisht investimin tonë në intelekt. Duhet shpejtësi dhe vendimmarrje drastike, në mënyrë që të krijojmë kushtet për lindjen e intelektualizmit shqiptar, duke ndërtuar së pari botën akademike si dije në një krah, dhe si shkencë në krahun tjetër. E dini se nuk ekziston një shkencë shqiptare; askund, në asnjë universitet? Ligji i ri e hap këtë derë të madhe të zhvillimit, do të financohet për kërkimin shkencor.
Arsimi, në këto 25 vite?
Ligji është reformë dhe reforma, kudo dhe kurdo, që është bërë ka ushtruar presion kundrejt prapambetjes. Autonomia është koncept që vjen nga dija, jo nga padija. Koncepti publik dhe privat, për universitetet dhe shkollën në përgjithësi, nuk ka ndarje në sens. Shkolla duhet të japë dije të cilësisë së lartë, e bën këtë publiku apo privati, kjo pastaj është konkurrencë në tregun e arsimit, dhe sidomos, është konkurrencë më cilësinë e të diplomuarve. Si nuk dëgjuam për asnjë rast të flitej për cilësinë e diplomës shqiptare? Ajo sot nuk ekziston dhe kjo është e dhimbshme dhe e papranueshme për kërkesat që i kemi vënë vetes, që të hyjmë në botën e Bashkimit Evropian.
Ne jemi sot në krizën e thellë të identitetit intelektual, prandaj dhe jemi në një gjendje shterpë, sterile, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore: në shkencë, në art, në letërsi, në filozofi, në histori kudo. Intelekti i lartë nuk është një gjë masive në një shoqëri, sepse normal, askund në botë sot, të gjithë ata që lindin janë normalisht të aftë intelektualisht që të mbarojnë gjimnazin apo shkollën e lartë. Kush nuk e pranon këtë, është i vrarë nga paaftësia e tij. Se, përse ka nota në vlerësimin e intelektit? E pra, sepse ka seleksionim. Por, nëse intelekti yt nuk e përballon dijen e lartë, sigurisht që ka pozicione të tjera në shoqëri. E pra, kjo është reforma: seleksionimi i mendjeve të ndritura në Shqipëri, në mënyrë që këto pastaj të bëhen përçuese të zhvillimit shoqëror.
Sa vlen reforma aktuale?
Janë dy shtylla që mbajnë arsimin e lartë: Profesorati dhe Studentati. Dy botë që kanë interkonjeksion midis tyre, por që, në funksion të zhvillimit, duhet të vlerësohen nga cilësia e intelektit, për studentët dhe nga niveli i profesionit për profesoratin. E ka bërë reforma këtë me ligjin aktual. Sapo e ka filluar. Duhet ta thellojë. Ne si shoqëri nuk e kemi atë luks që të vrasim apo të mos edukojmë në nivele të larta intelektin cilësor shqiptar. Kjo është në fakt reforma: investimi në intelektin shqiptar, që ky pastaj të na kthejë investimin në të mirë të zhvillimit shoqëror.
Ndarja e botës akademike nga menaxhimi i universiteteve është një hap serioz kundër korrupsionit në arsimin publik, që është bërë një gjë e pështirë. Profesorë mediokër që shesin notën, që abuzojmë me kontrollin e teksteve të tyre. Sigurisht menaxhimi i ri duhet të drejtohet shumë nga profesorati, i cili sot në perëndim është një klasë e veçantë. Duhet parë edhe marrja e rektorëve të huaj në fillim, personalitete të njohur të dijes botërore. A do ta bëjmë dot? A do të investojmë në dhënien e dijes, apo vetëm në rrugë dhe autostrada? Nevoja parësore është investimi në intelekt, këtë e ka edhe tregu aktual nevojë imediate. Ka shteruar Shqipëria nga burimet intelektuale. Turp! Dhe tani vjen pyetja juaj: pse është opozita dhe një pjesë e botës akademike të universiteteve shtetërore kundër. Natyrisht që do të jenë. Filtri tremb këdo. Intelekti i lartë është gjëma e mediokritetit. Por, përgjegjësinë e ka qeveria dhe mazhoranca aktuale; sepse ajo kështu i ka thënë shoqërisë kur i ka kërkuar votën: “Do të ngre cilësinë e arsimit në Shqipëri”. Dhe unë mendoj se ligji është një hap i parë emocionues. A e keni menduar ndonjëherë: kundërshtuesit në politikë dhe jashtë saj, pse nuk iu drejtuan për ta kaluar ligjin në filtrat e botës akademike perëndimore? Përgjigjja e kësaj pyetjeje e lë pa fjalë një opozicion që nuk vjen nga tharmi perëndimor.
S të shkëputemi nga mediokriteti?
Është e vështirë, por nuk është e pamundur. Ligji duhet të thellojë kërkesat e tij për qëmtimin e mendjes së lartë shqiptare, sepse ajo po ikën nga Shqipëria. Nuk mjafton vetëm reforma në arsimin e lartë, por duhet urgjentisht të ngrihet shkolla e mesme, sidomos gjimnazi. Matematika, biologjia moderne molekulare, fizika moderne, filozofia, astrofizika dhe historia, duhet të jenë në nivele të larta në gjimnazin shqiptar. Gjimnazi nuk laget fare nga matematika dhe filozofia sot. Urgjent duhet të ndryshojë gjendja. Logjika vjen nga matematika, filozofia është rrokja reale e konceptit. Pra, shoqërisë shqiptare i mungon sot racionalizmi.
Ai duhet të infiltrohet urgjentisht edhe në shkollën e mesme edhe në shkollën e lartë. Kjo është dija moderne që ka ardhur në Perëndim që nga Dekarti e deri sot. Shkolla jonë është e paprekur fare nga kjo lloj dije; menjëherë reforma duhet të shkojë drejt teksteve dhe analizës kualitative të mësuesisë dhe profesoratit. Dija shqiptare është në krizë, sepse ne si shoqëri kemi bllokuar investimin në intelekt, brenda tendencës moderne të racionalizmit perëndimor. Të gjitha tekstet e lëndëve që jepen në shkollën e lartë, domethënë nëpër universitete, duhet të jenë nën tutelën e Ministrisë së Arsimit dhe duhet të jenë që të gjithë tekste të miratuara nga katedrat e njohura dhe prestigjioze të universiteteve më të mirë të Perëndimit. Kjo është “cionditio sin e qua non” për revolucionin tonë në intelekt. Ne duhet ta kthejmë dijen e nivelit të lartë në Shqipëri në fenomen që duhet të zgjasë me dekada. Dija merret me pika dhe jepet si lumë.
Por ku janë pikat? E pra, tekstet, ata janë të gatshëm sot në universitetet prestigjoze … dhe ky është mjeti i kontrollit për profesoratin shqiptar, kudo që ndodhet, nëpër universitet publikë apo privatë. Provimi shtetëror duhet të jetë baza. Kurrë nuk është e lejuar që ai që jep leksionet vendos edhe notën. Ai ka të drejtën e krediteve, të gjitha provimet duhet të kalojnë në substancë në provimin e shtetit. Shteti është përgjegjës për kontrollin e cilësisë të të gjitha universiteteve.
Qofshin publikë apo privatë. Ngritja e instituteve shkencorë është domosdoshmëri dhe ligji e përkrah. Tani duhet implementim racional. Për cilën autonomi e kanë fjalën këta që flasin edhe për Kushtetutën, për autonominë që idioti të na shpjegojë historinë; dhe mediokri matematikën? Kjo na e ka përmbysur historinë e intelektualizmit në Shqipëri. A ka ardhur koha që të përmbyset kjo tani? Ta shohim…