Merkel, mision në zonë krize
Nga Skënder Minxhozi/
Angela Merkel po përgatitet të fillojë një mision diplomatik delikat në Ballkan, i cili do të prekë kryeqytetet e Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnjes. Pa harruar, natyrisht, zhvillimet e vrullshme dhe të skajshme të krizës greke, e cila shtrihet pak më poshtë, në Jug të Gadishullit.
Ky mozaik shtetesh dhe problemesh, është skenari i duhur për një lojtare të përmasave të Merkelit, me gjithë peshën politike dhe ekonomike të shtetit që ajo përfaqëson. Merkel gjen një rajon ku “paqja më e madhe në histori”, e artikuluar shpesh nga politikanë si Edi Rama, sfidohet nga risqe tinëzare me impakt të lartë, si kriza greke, stanjacioni boshnjak, ngecja e dialogut serbokosovar apo edhe penetrimi i heshtur i Rusisë.
Është e para vizitë dypalëshe që një kancelar gjerman kryen në Tiranë. Të paktën kështu regjistrohet kjo vizitë e Merkelit në kryeqytetin shqiptar, ku ajo do të ketë rastin të diskutojë me Ramën dhe krerët e tjerë shtetërorë, për problemet e demokracisë shqiptare, rolin e vendit në stabilitetin rajonal dhe flukset migratore që po shqetësojnë Berlinin dhe Europën e Bashkuar.
Kancelarja zbret në këtë cep të kontinentit, kur këtu po luhet ajo që shumë media botërore e kanë quajtur një “tragjedi greke”. Do të jetë interesante të shihet sesa do ta influencojë misionin diplomatik të kancelares problemi i madh grek. Pa harruar edhe për lodhjen nga integrimi, që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur ta përsërisin gjithnjë e më shpesh vitet e fundit. Kancelares do të duhet të tregojë se fuqia më e madhe e Europës di të menaxhojë në kohë reale të gjithë fashikujt shumëngjyrësh të dosjes delikate ballkanike. Një aftësi që ajo ka treguar se e ka dhe se di ta tregojë në kohën dhe vendin e duhur.
javanews.al