Merkeli dhe Junckeri: harmoni perfekte?
Në fushat kryesore të politikës, kancelarja gjermane dhe Komisioni i BE janë të të njëjtit mendim. Lojëra për pushtet për drejtimin e Evropës, nëse ka të tilla, bëhen vetëm pas dyerve të hapura.
Ata i flasin njëri-tjetrit me "ti", përqafohen kur takohen. "Mikesha Angela" dhe "Jean-Claude i dashur" përcjellin një pamje harmonie. Kancelarja Angela Merkel erdhi për vizitë prezantuese në Bruksel, tek Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, për t'i sqaruar duke ngrënë drekë, Komisionit Evropian të mbledhur prioritetet që ka për Evropën vendi më i madh anëtar. Një vizitë e tillë tek Komisioni në detyrë prej katër muajsh është disi e pazakontë. Merkeli dhe Junckeri e njohin njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë. Ata ndërkohë janë politikanët e lartë me periudhën më të gjatë në post në skenën evropiane. Të dy janë kristiandemokratë, kuptohen me njëri-tjetrin. "Këtë nuk ka nevojë ta theksosh më, kjo është sikur t'u dërgosh frigoriferë eskimezëve", tha për këtë në Bruksel Angela Merkel.
Harmoni e pastër midis Merkelit dhe Junckerit?
Por politikisht, Merkeli dhe Junckeri muajt e fundit shpesh janë grindur. Jean Claude Juncker-i, i cili për shijen e konservatorëve e kërkon tepër shumë afërinë me socialdemokratët, sipas interpretimit të Berlinit është shumë i butë në zbatimin e rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes. Kancelarja Merkel vetë iu ankua "Jean-Claude-it të dashur" para disa ditësh në telefon, sepse ai i ka lejuar Francës përjashtime të tjera në arritjen e kufijve buxhetorë, në buxhetet publike. "Unë e regjistrova këtë fakt", e komentoi ndodhinë Merkeli në konferencën e shtypit në Bruksel. "Unë besoj se në Francë kemi një proces reformash. Ne duam ta ndihmojnë Francën", tha kancelarja. Junckeri dha siguri se Francës i zgjatet afati për respektimin e deficitit buxhetor vetëm në këmbim të masave të tjera dhe të përpjekjeve për reforma.
Merkeli e lëvdoi Komisionin e BE të paktën për shpejtësinë, me të cilën ai përpiqet t'i kryejë projektet që ka ndërmend. "Unë kam respekt të madh", tha Merkeli. Presidenti i Komisionit Evropian u shpreh i gëzuar që Merkeli "e njeh faktin që ne punojmë me shpejtësi".
Junckeri brenda Komisionit nuk i kursen kritikat për shtete të caktuara. Ish-kryeministri i Luksemburgut angazhohet gjithmonë fort për interesat dhe barazinë e shteteve më të vogla. Gjermania, kritikon ai, është e prapambetur në investime. Junckeri është shprehur për marrje të përbashkëta borxhesh nga shtetet e BE përmes Eurobondeve, Merkeli është rreptësisht kundër.
"Në Komisionin e BE ne nuk jemi degë ose marrës urdhrash nga qeveritë kombëtare", pati theksuar Jean-Claude Junckeri në fjalën e tij të prezantimit si President. Me këtë ai u distancua nga paraardhësi i tij Jose Manuel Barroso, i cili sipas mendimit të shumë vëzhguesve në Bruksel, ndodhej nën kontrollin e Angela Merkelit. Bëhet fjalë pra për një luftë pushteti mes Brukselit dhe Berlinit, kush i përcakton direktivat? Shefi i Bankës Evropiane të Investimit, Werner Hoyer u ankua përsa i përket fondeve të investimeve se për to bëhet luftë të madhe pushteti. Shtetet anëtare dhe Komisioni e pengojnë reciprokisht njëri-tjetrin, u ankua Hoyer, banka e të cilit duhet t'i administrojë fondet. Presidenti i KE nuk kishte dëgjuar për luftëra për pushtet: "E admiroj kokëfortësinë e disa gazetarëve të medieve kombëtare gjermane, të cilët konstatojnë vazhdimisht konfliktet më të rënda midis Kancelares gjermane dhe Presidentit të Komisionit Evropian. Këto konflikte nuk më kanë rënë në sy", tha Junckeri.
Sanksione të reja kundër Rusisë të mundura
Megjithë dallimet në detaje, të dy politikanët me përvojë e dinë se duhet të kuptohen me njëri-tjetrin për vitet e ardhshme. Prandaj vështrimi hidhet përpara. Angela Merkel e mbështet Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe të Investimeve me SHBA (TTIP). Ajo dëshiron njësoj si Jean-Claude Junckeri që negociatat Komisioni t'i përfundojë deri në fund të vitit 2015.
Në politikën përballë Rusisë në konflikt për Ukrainën, qeveria gjermane dhe Komisioni i BE janë në masën më të madhe të të njëjtit mendim. Nëse marrëveshjet e Minskut për armëpushimin në Ukrainë nuk vihen plotësisht në jetë, shtetet anëtare të BE dhe Komisioni i BE janë të gatshëm që të përgatisin sanksione të tjera kundër Rusisë, tha Merkeli dhe Junckeri. Ndërtimi ekonomik dhe reformat në Ukrainë duhet të mbështeten.