Merreni qetë!

Nga Mero Baze

Ka një fryrje gjelash nga opozita për atë që do të bëjnë nesër. Edi Paloka është betuar se nuk e përmban dot “popullin“ e tij dhe ai është i vendosur ta çojë gjakun në gju. Arben Ristani po ashtu ka paralajmëruar se uragani popullor do fshijë nga faqja e dheut çdo pengesë në rrugën drejt pushtetit dhe ai do bëhet esëll nesër.

Merreni më qetë! Asgjë nuk ndodh nga një protestë. Nëse opozita mendon, se duke paralajmëruar gjak dhe uraganë do vijnë në protestë qytetarë, tregon se në dorë të kujt budallenjëve ka mbetur. Protestat janë serioze, kur janë qytetare. Kur janë me halabakë, ka punë policia. Dhe nuk besoj se një opozitë serioze ka interes të dorëzojë në polici gjithë militantët e vet të dhunshëm para zgjedhjeve. Ndaj mos i merrni seriozisht ata që flasin për gjak dhe përmbysje. Thjesht duan t’i nxjerrin frikën vetes dhe duan të besojnë që janë të fortë.

Ka një kërleshje të Lulzim Bashës dhe një retorikë të tij të forcuar ndaj krimit të pandëshkuar. Edhe kjo është gjë e mirë, sikur i vetmi simbol i një politikani të pandëshkuar në vend të mos ishte Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu që janë në demonstratë. Dhe, sikur të vetmet krime të padënuara këto 25 vjet të mos ishin të vrarët në Gërdec, për të mbushur xhepat e djalit të ish-kryeministrit dhe të vrarët në bulevard për t’i hequr frikën e ikjes nga pushteti Berishës. Ndaj merreni qetë, se dhe ai nuk e ka seriozisht. As më shumë as më pak, ai gjendet në oborrin e një selie, ku të gjithë e duan si Doktori, por ai s’di si ta bëjë këtë rol. i ngjan asaj barcaletës për një polic mirditor pas vrasjes së Bardhok Bibës, që ecte në pyll e këndonte me zë të lartë “Jam polic lokaliteti,më ka vënë me zor pushteti“. Kështu mendonte se diversantët e Bajraktarit e dëgjonin dhe nuk e vrisnin. Edhe Luli kështu është kur flet. Merreni qetë, mos u nervozoni me të.

Ka një angazhim dyditor të ambasadës së SHBA-së kundër deklaratave të Partisë Demokratike dhe palët janë ndarë, që SHBA është kundër PD-së dhe pro qeverisë. Merreni qetë dhe këtë punë. SHBA është qartazi kundër Sali Berishës dhe diktatit të tij në PD. Nuk ka gjë me Partinë Demokratike dhe nuk ka pasur gjë me të 24 vjet, edhe pse Berisha i ka shpallur gjithë ambasadorët e SHBA-së në Tiranë armiq. Ambasadori Lu është i fundit në radhë dhe i pari në listë për nga ashpërsia ndaj tij. i ka përgënjeshtruar çdo deklaratë dhe ka shmangur dhe përballjen me të në oborrin e PD-së. Por nuk e ka me PD-në. E ka me Berishën dhe do ta ketë, derisa SHBA të bindet se ai nuk ka ikur vetëm fizikisht, por dhe politikisht nga PD-ja. Thjeshtë demokratët duhet të zgjedhin mes Berishës dhe SHBA-së. Nuk ka vend për panik. Përrallat fillojnë, aty ku lihen përgjysmë. Dhe kjo përrallë u la gjysmë me ikjen e ambasadorit Arvizu, kur Berisha u premtonte të vetve se ambasadori i ri do bëjë histori të re për PD-në. Po e bën në të vërtetë. Më sterrë s’ia ka bërë kush.

Ka dhe një kërleshje nga LSI kundër kërcënimeve për destabilitet. Edhe pse Meta e ka sllogan gallate atë batutën “me qetësi“, duket se po kërkon t’i provokojë këta të PD-së, me qëllim që t’i nxjerrë nga strofka. Shihet qartë që ai po tenton të hakmerret ndaj përfshirjes së Bashës në filmin e Tomkës, duke e shtyrë atë drejtë dhunës ditën e enjte. Po qe se Basha e ha këtë karrem, punë e tij. Por nga ata militantët e LSI-së mos prisni ndonjë rrëmujë. Janë në punë shteti në atë orë.
Ka më në fund dhe një alarm nga SHISH, që njerëz të rrezikshëm do jenë pjesë e protestuesve. Ky duhet marrë seriozisht, se SHISH është i Berishës dhe i njeh ata që përbëjnë rrezik. Por dhe ata do ta kenë bërë nën frymën e Palokës dhe Ristanit, për të trembur qeverinë. Ndaj merreni qetë. Mos i merrni seriozisht. Ja përshembull Presidenti Nishani nuk duket i shqetësuar as nga skenari i vrasjes dhe as nga nga rreziku i demonstratës. i vetmi peng i tij është që nuk u zhvillua si duhet ajo greva e studentëve të Vitrinës, që duan të bëhen mjekë. Është i vetmi që e di rëndësinë që ka mjeku për shëndetin. Sidomos me hallin që ka.
Në fund ka dhe një kërleshje brenda zyrave të SHQUP-it. Berisha ka kërkuar sot që turma të iki nga Sheshi Skënderbej tek parlamenti dhe të hyjë brenda. Basha ka guxuar t’i thotë që është mirë të shkojmë para kryeministrisë, në bulevard. Merreni qetë dhe këtë sherr. Thjesht do pakësohen qytetarët në shesh dhe do shtohen banditët. E vetmja shpresë për qeverinë është ketë dhunë dhe banditë në rrugë. Dhe e vetmja shpresë për opozitën është tek qytetarët në protestë. Vetëm kjo shërben si kriter për t’i vënë një notë protestës. Ajo nuk ka rëndësi nëse do jetë e vogël apo e madhe, as nëse do jetë në Sheshin Skënderbej apo Nënë Tereza. Ajo do vlerësohet vetëm nëse do t’i shërbejë qeverisë për të treguar që krimi është në rrugë, apo do t’i shërbejë opozitës, që do të dënojë krimin që sipas saj është në zyra. Por dhe për këtë mos u tensiononi kaq shumë. Dy orë gjë është nesër në mesditë dhe pastaj do dalë Doktori, që do thotë se kjo është fitorja më e madhe e 24 viteve. Është i vetmi që ka huqin e serbëve në këtë vend. Feston humbjet.

"Gazeta Tema"

SHKARKO APP