Mes jugosllavëve dhe sovjetikëve
Nga Skifter Këlliçi
(Vijon nga numrat e kaluar)
Ndonëse ende nuk i kisha mbushur të tetë vjetët, më kujtohet dita e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të viti 1945. Më kujtohen edhe banorët e lagjes ku banoja, që votuan. Më kujtohet edhe babai nënën që edhe ata votuan. Prapë se prapë, duke gjykuar se misionet anglo-amerikane vazhdonin të qëndronin në Shqipëri, besuan se qeveria e përkohshme komuniste do të kishte të njëjtat marrëdhënie si me Perëndimin, ashtu edhe me vendet e tjera të Lindjes. Dhe votuan për kandidaten e Frontit, që ishte Ollga Plumbi, grua intelektuale me prirje demokratike, por që pastaj regjimi komunist e mënjanoi shpejt nga jeta politike.
Por në krahinat e tjera nuk ndodhi kështu. U fol atëherë nën zë për parregullsi. Vite më pas, juristi Alqi Nushi, që kishte mbaruar studimet e larta për drejtësi në Francë, më tregonte se atëherë ishte dërguar si vëzhgues në fshatrat e Peshkopisë. Votimet bëheshin me kokrra të vogla, në formë saçmash dhe jo si sot me fletë votimi. Ai kishte vëne re se kryetari i Komisionit Zgjedhor të zonës së Peshkopisë, i detyronte fshatarët që kokrrat me të cilat votonin, t’i hidhnin vetëm në kutinë e kandidatit të Frontit. Pasi kishin mbaruar votimet, Alqi Nushi ishte kthyer në Tiranë dhe i kishte dërguar një raport Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ato që kishte parë. I kishin tërhequr vërejtje . Më pas ai edhe ishte arrestuar me 10 vjet burgim për veprimtari armiqësore. Por, të hamendësojmë se zgjedhjet qenë më të vërtetë qenë të lira. Në rast se do të ishin krijuar parti të tjera politike, populli, duke parë se në ç’gjendje po e katandiste vendin diktatura komuniste me armën e vet famëkeqe, Sigurimin e tmerrshëm të Shtetit, të cilin, aq shumë e ka kritikuar vetë Ramiz Alia në faqet e librit të tij, duke qenë se Shqipëria do të kishte qenë edhe nën ndikimin perëndimor, nuk do të votonte më për sistemin komunist pseudo-demokratik.
“Dihet gjithashtu se bashkë me të gjitha vendet e Evropës lindore, -shkruan më poshtë Ramiz Alia, – Shqipëria u përfshi në zonën sovjetike të influencës, kështu që edhe zgjedhja e sistemit të ardhshëm, nuk mund të mos kushtëzohej nga ky fakt. Kudo në vendet e lindjes u shpall shteti i Demokracisë Popullore. ”(faqe 134) Dhe Shqipëria ishte një ndër këto shtete të ashtuquajtura demokratike dhe ra kryekëput nën ndikimin e Jugosllavisë së Titos.
“Në fillim, -vazhdon Ramiz Alia në libër, -në krah të Shqipërisë u gjend Jugosllavia e Titos. Por ndihma nga ana e saj ishte e vogël, shumë e vogël, në krahasim me nevojat që kishte vendi. Nga ana tjetër, siç u pa më vonë, ajo ndihmë kishte qëllime të mbrapshta, ajo kushtëzohej nga programi titist për gllabërimin e Shqipërisë , shndërrimin e saj në “republikë të shtatë të Jugosllavisë.” (Po aty)
Me të drejtë lind pyetja:”Përse Jugosllavia , deri disa vite më parë, mbretëri kroato-serbo-sllovene, ku bënin pjesë edhe Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova, (prej vitit 1913 provincë e prapambetur serbe)pra , një vend i varfër, jo vetëm në Evropë, por edhe në Ballkan, që nuk ishte shquar për zhvillim ekonomik si vende të tjera, Rumania, Hungaria, Çekosllovakia, duhej të ndihmonte një vend të vogël dhe shumë më të varfër se Jugosllavia?”
Përse këtë të mos e bënte vetë Bashkimi Sovjetik, që, vërtet doli shumë i shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, por, sidoqoftë, me pasuritë e çmuara natyrore që i kishin dhënë hov zhvillimit të industrisë së rëndë dhe të lehtë, me fushat e pamata, ku mbilleshin prodhime bujqësore, kishte potencial shumë më të madh ekonomik se sa Jugosllavia?
Kësaj pyetjeje i jep përgjigje vetë Ramiz Alia:
“Ndoshta në atë kohë Bashkimi Sovjetik e shihte Shqipërinë si pjesë të Jugosllavisë”. (“Jeta ime”, faqe 131)
Pohim skandaloz që tregon injorancën gjeografike të “gjeniut Stalin”, që nuk dinte se Shqipëria nuk ishte qenë kurrë vend sllav. Si pasojë, siç e përshkruan më poshtë Ramiz Alia, ndihma sovjetike filloi pas konfliktit midis Titos dhe Stalinit, që solli si pasojë që Jugosllavia të përjashtohej nga kampi socialist.
“Nuk vonoi shumë dhe aty nga muaji mars i vitit 1948, -shkruan Ramiz Alia, – sovjetikët vunë në dijeni E. Hoxhën për kontradiktat që kishin lindur midis Titos dhe udhëheqjes sovjetike. Atij iu dhanë letrat e njohura që Stalini dhe Molotovi i drejtonin KQ të PKJ, me anën e të cilave kritikohej vija jugosllave si vijë oportuniste, antimarksiste dhe politika jugosllave si properëndimore.”(faqe 148)
Sigurisht u bë shumë mirë që ne u shkëputëm nga skllavëria jugosllave dhe “nga marrëveshjet me të cilat jugosllavët synonin t’i lidhnin këmbë e duar Shqipërisë, ashtu siç kam treguar për përpjekjet e tyre të fundit duke dërguar dy divizione në pretekstin e rrezikut të një sulmi kundër Shqipërisë nga Greqia(faqe 169)
Me fjalë të tjera Shqipëria, siç ka theksuar vazhdimisht edhe Enver Hoxha, falë Stalinit nuk u bë “republikë e shtatë”, dukuri që kishte nisur me unifikimin e doganave, të monedhës, të cilat i kishte pranuar me vetëdije edhe ai, “falë miqësisë me këtë vend mik, që kishte farkëtuar ai me “druzhe” Titon. Por Petro Marko, (1913-1991) në librin e tij me kujtime “Retë dhe gurët”, kur përmend një bisedë me atdhetarin e flaktë kosovar, Bedri Pejani, të cilin, pas çlirimit komunistët shqiptarë ia dorëzuan UDB-së jugosllave, nënvizon:
“E vërteta është se Stalini i kishte thënë Titos që ta inkuadronte Shqipërinë republikë të shtatë, por ky, i zgjuar, nuk pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se… janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se po të bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e pasur, më e fortë se do të bashkohej edhe Kosova në këtë republikë të shtatë. ”(faqe 445)
Kështu u mbyll kapitulli i parë dhe i shkurtër i marrëdhënieve të para të Shqipërisë me një vend tjetër, pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat Ramiz Alia i kalon përshqit. Ai nuk ndalet të kritikojë ashpër Enver Hoxhën që nuk nguli këmbë qoftë në takime me Titon dhe pastaj me Stalinin që Kosova dhe vise të tjera shqiptare, siç e pamë, të shkëputura nga toka amë, t’i ktheheshin Shqipërisë.
Duhet thënë se, veç kësaj Ramiz Alia duhej të ishte ndalur në kujtimet e tij të kësaj periudhe edhe në një fakt shumë të rëndësishëm: në marrëdhëniet e Enver Hoxhës me UNRRA-n, (1943 -1948).
UNRRA, (në shqip Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje), ndryshe nga sa ndodhi në Greqi dhe Jugosllavi, filloi me vonesë misionin e saj fisnik në Shqipëri, shkak të qëndrimit kundërshtues të Enver Hoxhës “…ndaj kushteve të paraqitura nga kjo organizatë, nëpërmjet kryetarit të saj, Okli Hill, më 15 maj1945. ”(FESH vëll. 3, faqe 2812)
Ndër të tjera, Enver Hoxha “kundërshtoi shpërndarjen e furnizimeve të UNRRA-s nga anëtarët e misionit të saj, kërkoi largimin e pamotivur të disa anëtarëve, kufizimin e lëvizjeve dhe survejimin e vazhdueshëm të tyre. (po aty)
Sidoqoftë, gjatë viteve 1945-1948, UNRRA i dha Shqipërisë ndihmë ekonomike që vlerësohet me 31 -32 milionë dollarë, ( kursi i vitit 1938), në ushqime, veshmbathje, pajisje dhe barna mjekësore, materiale për rimëkëmbjen e bujqësisë dhe industrisë, të cilat ndikuan në lehtësimin e plagëve të Luftës dhe në ngritjen ekonomike të Shqipërisë në vitet e para të Çlirimit. ”(po aty).
Fatkeqësisht, as Enver Hoxha dhe as Ramiz Alia në librat e tyre, nuk e kanë vlerësuar këtë ndihmë të jashtëzakonshme të UNRRA-s, e cila në rast se nuk do të ishte ndërprerë nga qeveria komuniste, do të kishte ndikuar shumë më tepër në rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë sonë.
Përkundrazi, Enver Hoxha kishte krijuar konceptin e mëposhtëm për këtë organizatë të madhe humanitare:”Në krye të UNRRA-s ishin oficerë amerikanë dhe anglezë, të cilët nën maskën e ndarjes së “ndihmave”punonin për të ringjallur reaksionin, për të bërë presione edhe për të realizuar objektivat imperialiste të shteteve të tyre. ”(FESH, botimi i parë, faqe 1135, 1985)
Madje, lidhur me UNRRA-n kanë ndodhur edhe ngjarje të tilla që të bëjnë të trishtohesh, të cilat i përshkruan shkrimtari ynë i njohur, Petro Marko, në librin e tij “Intervistë me vetveten”, (“Retë dhe gurët”, Tiranë, 2000)
“UNRRA, -shkruan ai , -ishte krijuar për t’u ardhur në ndihmë popujve që u shkatërruan nga lufta, prej të cilëve ishim edhe ne. Kur u takova me dy gjeneralët anglo-amerikanë, në hotel “Dajti”, pashë që ata ishin të zemëruar. ”Më thanë se komisioni ynë nuk ishte serioz dhe nuk kishte kuptuar si duhet qëllimin e tyre…Do të sillnin mallrat dhe të gjitha ato që do të kërkonim ne, por duhej të vinte këtu edhe një ekip i UNRRA-s, për të parë se si ndaheshin ushqimet, teshat dhe makineritë, ashtu siç ishin bërë në vende të tjera. Komisioni ynë nuk pranoi ardhjen e anglo-amerikanëve për të parë se do të ndaheshin mallrat…Të gjitha jepeshin falas-ushqime veshmbathje, por qeveria nisi t’i shiste dhe ata të UNRRA-s vinin tek ne dhe kundërshtonin!. . ”(faqe 463). “O tempora , o mores !”(Ç’kohë, ç’mendësi !)
Marrëdhënie të shkëlqyera me Bashkimin Sovjetik!… (1948-1956)
Pasi me Rezolucionin e Byrosë Informative në qershor të vitit 1948, dëboi Jugosllavinë nga kampi socialist, Stalini siç duket u kujtua se në kampin socialist ekzistonte…edhe një vend tjetër, vërtet i vogël, por komunist, të cilin ai a kishte lënë si manare një deleje të zgjebosur si Jugosllavia.
Në librin e tij “Intervistë me vetveten”(“Retë dhe gurët”), lidhur me këto veprime të “miqve jugosllavë”, Petro Marko shkruan: “Kurrë nuk më shkonte ndërmend se një parti e majtë mund të vepronte me djallëzi”. Mua më thoshin shokë dhe miq shkodranë, katolikë dhe myslimanë: “Druzhet po na plaçkitin dhe ne bëjmë sehir.” Dua të shënoj këtu se dhe një bisedë me Nako Spirun, (1918-1949), ministër i Ekonomisë: “Ne kemi mall dhe materiale të çdo kategorie, sa për dhjetë vjet s’kemi nevojë të importojmë. ”(faqe 442 e veprës së cituar)
Këto veprime banditeske detyrohet t’i pranojë edhe Enver Hoxha në librin e tij “Titistët”, por të botuar më 1982, pra pas 34 vjetësh. Por tepër vonë, sepse që më 1947 Sejfulla Malëshova, (1900-1971), ia thoshte këto me mllef Petro Markos në zyrën e tij, në gazetën “Bashkimi”, kur ky i fundit ishte kryeredaktor i saj: “I madhi, (Enveri), bën ç’i thonë jugosllavët, të cilët, përveç që na rrjepin, por edhe na diktojnë ligjet e tyre antishqiptare. ”(po aty, faqe 452)
Filloi, pra periudha e marrëdhënieve me Bashkimin e madh Sovjetik që ishte edhe koka e kampit socialist, me Stalinin, “marksist-leninist i madh, vazhdues i denjë i veprës së K. Marksit. F. Engelsit. V. Leninit, udhëheqës i proletariatit ndërkombëtar, mik i vendosur i popullit shqiptar dhe i Shqipërisë socialiste, udhëheqësi gjenial i proletariatit botëror”. (FESH, botimi i parë , faqe 984)
Por sa mik i vendosur për ne ishte Stalini, kjo dëshmohet më poshtë: Siç dihet, Enver Hoxha gjatë viteve 1947-‘52 është takuar pesë herë më diktatorin e madh sovjetik, takime që i ka pasqyruar, sipas fantazisë së tij “pjellore” në librin “Me Stalinin” (1979). Them kështu, sepse botimi i bashkëbisedimeve të tij me Stalinin, sipas dokumenteve ta marra nga arkivat sovjetike të viteve ‘50-të të shekullit të kaluar dhe të botuara dhe në shqip, dëshmojnë jo rrallë pasaktësi dhe fakte të shkruara ndryshe nga Enver Hoxha dhe, për më tepër, shprehje të pa- shkruara prej tij në librin “Takime me Stalinin”.
Duhet thënë se deri më 1948, pra ende pa marrë vendimin që të përjashtonte Jugosllavinë nga kampi socialist, Stalini, për turpin e tij, kishte njohuri shumë të cekëta për Shqipërinë. Kjo del në pah dhe gjatë bisedës që ai ka zhvilluar në prill të vitit 1947 me udhëheqësit jugosllavë Kardel, Simiç dhe Popoviç, ku, ndër të tjera i pyet: “Çfarë prejardhjeje kanë shqiptarët?… Më kujtohet se Tito më fliste se ata janë të ngjashëm me baskët… Siç duket ata janë popull mjaft i prapambetur dhe primitiv…Po ata mund të jenë besnik si qentë. Kjo është karakteristikë e popujve të prapambetur”. ( Gazeta “Borba”, 12-13 gusht 1989 dhe në librin “Rusia dhe Kosova”, të Sh. Vukajt, botuar në faqen e internetit “Telegraf”, 04 janar 2013).
Dhe në shkurt të vitit 1948, Stalini shkon dhe më tutje, kur në një bisedë me delegacionin jugosllav që vizitonte B. Sovjetik , të përbërë nga Gjilasi, Popovici dhe Tempo, sipas kujtimeve të të parit ai thotë:
“- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!”
Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij… Unë përsëri fillova t’i shpjegoja:
– Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi.
Këtu ndërhyri Molotovi:
– Po, kjo do të thotë ta gëlltisni.
Ndërsa Stalini – përsëri me gjestin e tij:
-“Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë dhe sa më shpejt aq më mirë” [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104].
Të mos i ketë mësuar këto Ramiz Alia më
2010, kur shkruante librin e tij “Jeta ime”. E pamundur!
Por veç tyre, siç e kam vënë dukje në dosierin e mëparshëm, botuar në faqet e kësaj gazete, Stalini më pas në mënyrë kritike ka nënvizuar:.
“Në qoftë se shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen me modesti, Shqipërinë askush nuk ka për ta prekur. ”(“Shënime nga biseda e J. V. Stalinit me Enver Hoxhën mbi politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë, Moskë, 23 mars 1949, ora 22:00)
(Është e habitshme të gjykosh se përse Ramiz Alia në kujtimet e tij nuk i ka përmendur këto takime. Madje, duke shfletuar faqe nga kapitujt e këtij libri, vështirë të gjesh vlerësime të tij për Stalinin. Përse? Përveç këtyre, Ramiz Alia nuk është ndalur në kujtime të tjera që lidhen me zhvillimet politike në B. Sovjetik, gjatë periudhës së studimeve të tij në Shkollën e Lartë të Partisë, në Moskë, (1951-1954), pas vdekjes së Stalinit, as në ceremoninë e varrimit të këtij “korifeu të marksizëm-leninizmit”, që nuk ishte kurrkush tjetër, veçse një diktator dhe kriminel, shembullin e të cilit e ndoqi me fanatizëm edhe Enver Hoxha. )
Asnjë udhëheqës stalinist i vendeve të ish-demokracive popullore nuk urdhëroi që në tubimet e mëdha të organizuara me rastin e vdekjes së Stalinit, populli të përkulej në gjunjë për të nderuar kujtimin e tij. Ai që e bëri këtë, ishte vetëm Enver Hoxha.
Veç kësaj, Ramiz Alia nuk është ndalur edhe në ndryshimet që ndodhën në udhëheqjen sovjetike pas vdekjes së Stalinit dhe që sollën ardhjen e Hrushovit në krye të PK të shtetit sovjetik, ngjarje të cilat i ka përjetuar gjatë viteve të studimit në Moskë. Sidoqoftë, pas shkëputjes nga Jugosllavia dhe ndërprerjes së të gjitha marrëdhënieve me të, që nga viti 1949, dhe më pas, në vendin tonë, siç e dëshmon edhe Ramiz Alia, me ndihmën Bashkimit Sovjetike u ndërtuan një varg veprash industriale, ndër të cilat kombinati i tekstileve në Tiranë, hidrocentrali i parë në Linzë të Tiranës, të pagëzuara natyrisht përkatësisht me emrat e Stalinit dhe Leninit, fabrika të tjera, sidomos ushqimore, dhe Shqipëria pas vitit 1950 filloi të punonte me plane pesëvjeçare. Ndërkohë, nuk mungoi edhe ndihma e vendeve të tjera socialiste. Pas kthimit prej studimeve nga Moska, më 1955, Ramiz Alia qe ministër i Arsimit dhe nga viti 1958 drejtor Propagandës në KQ të PPSH-së, ku u ndodh kështu edhe pranë Enver Hoxhës. Dhe pikërisht në këto vite nis një epokë tjetër në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, ngjarje të së cilës ritrajtohen për herë të parë pas kujtimeve të Enver Hoxhës, të përfshira në librin e tij “Hrushovianët”, (1980), madje edhe me fakte të reja.
(Vijon në numra e ardhshëm)