Mësuesi që meriton mirënjohjen e brezave
Nga Gëzim Loka/Sot kur njerëzit po ikin nga sytë këmbët nga trevat rurale, shpesh duke braktisur profesionin dhe hapësirat e shkollimit, ka dhe individë që kanë qëndruar në vendlindjen e tyre dhe me punë e dije, me përkushtim e dashuri, tentojnë ta bëjnë më pak stresante dhe më shumë të pranueshme jetën në këto vise. I tillë është 60 vjeçari Fadil Çupi, mësues në Lurë të Dibrës, i cili ka dyzet vjet iu jep dije nxënësve dhe iu shërben nevojave të komunitetit në këtë krahinë të largët të Alpeve tona. Herë mësues i thjeshtë e herë drejtues arsimi në Lurën e një mijë një bukurive të fjetura, që pret të zgjohen nga sipërmarrjet e lira në demokraci, Fadili është bërë njësh me hallet dhe shqetësimet e banorëve të kësaj njësie administrative. Korrekt, pasionant, i përkushtuar, edhe pse mundësitë i ka pasur dhe i ka për të vajtur e për të punuar në një qendër urbane, ai asnjëherë nuke ka braktisur vendlindjen, duke synuar të bëjë më të mirën e mundshme për nxënësit e tij dhe gjithë komunitetin lurian, që aq shumë e do arsimin, kuluturën dhe dijen, për të cilat ka dhënë figura të shquara në historinë e saj të vjetër e të re.
Kur njeriu arrin një pikë të jetës së tij, sigurisht që bën njëfarë bilanci jetësor e ndodh që kur sjell ndërmend hapat në rrugëtimin e jetës së tij dhe pas shikon se ka lënë gjurmë të bukura, kujtesë ndër njerëzit që e kanë njohur dhe me të cilët ka bashkëpunuar, kur ka se çfarë t’iu tregosh fëmijëve të mbarë, nipave e mbesave që e rrethojnë, brezave që ka përcjellë në udhën e dijes dhe të shkollimit, e kupton se ka jetuar me dinjitet dhe ka lënë prapa në kohë kujtime, mbresa e emocione, që vlerësohen nga koha dhe brezat. Një përjetim të tillë ndjen tani në hapat e fundit të rrugëtimit të tij professional në fushën e dhënies së dijes,
Fadil Çupi nga Lura, teksa hedh sytë prapa në kohë e vështron rrugën nga ka kaluar në jetë, ëndrrat, pasionet, dashuritë njerëzore, përkushtimin për punën, për librat, për vlerat e Lurës dhe të kombit, për gjithë historinë e trojeve tona etnike. Veprimtar shoqëror dhe aktivist politik, kuadër me reputacion në krahinë, i kudogjendur në punët dhe hallet e Lurës, që nga nevoja për t’i ringritur edhe një herë siç ishin pyjet mrekullore të Lurës, tek nevoja për një administrim të mirë të vlerave të komunitetit, Fadili është i lidhur pazgjidshmërisht me vendlindjen e tij, me këtë perlë evropiane, që pret dorën e pushtetit lokal dhe qeverisë për të rishkuar në detsacionin e saj të lakmueshëm turistik e histiorik.Ndër veprimtaritë ku ai ka marrë pjesë është edhe referati i tij në 155 vjetorit të lindjes së Dom Nikollë KaÇorri, i mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë i mbajtur këtë vit, dhe në shumë e shumë aktivitete të tjera. Për mjaft kohë, deri me hyrjen në fuqi të reformës teritoriale, Fadili ka qenë anëtar i këshillit të komunës dhe nënkryetar i këshillit të komunës Lurë. Për punë përkushtuese e plot pasion si mësimdhënës është dekoruar në vitin 1990 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri” “për punë të ndërgjegjshme dhe për arritje në procesin mësimor-edukativ”. Gjithashtu në vitet e zhvillimeve demokratike është dekoruar nga Presidenti me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për arritjet si mësues dhe veprimtar i palodhur në komunitet. Gjithashtu me propozim të Unionit të Shkrimtarëve, Gazetarëve, Poetëve dhe Artistëve Dibranë, Këshilli i Komunës Lurë, me vendim nr.17, datë 16 maji 2014, e shpall z. Fadil Çupi “Qytetar Nderi” i komunës së Lurës. Ka katër dekada që Fadil Çupi punon mësues, nëndrejtor dhe drejtor shkolle në Lurë, në vendlndjen e tij, ku plot pasion e përkushtim, pa u lodhur dhe dekurajuar për asnjë çast, iu ka përcjellë dhe vazhdon t’iu përcjellë brezave më të rinj lurianë dije shkencore e kulturë komunikimi njerëzor, shpirt-atdhetari, dashuri e respekt për vlerat e pasura të botës luriane.
Ky mesazh universal, kjo botë shpirtërore, kjo psikologji mendimi e veprimi, ka bërë Fadili të verifijojë çdo gjurmë të jetës së tij, ku dija, urtësia, humnanizmi, dashuria për punën e njerëzit, profesionalizmi, kanë qenë dhe mbeten motivet shtytëse të jetës së tij prej intelektuali të përkushtuar. Kjo kohë e gjatë pune si mësues, talenti i mësimdhënies, përgjegjësia intelektuale dhe qytetare për të mire edukuar një brez të ri të denjë për kohën, e kanë bërë më të vëmendshëm ndaj nevojave të njerëzve, ndaj kërkesave në rritje të brezave, që pasojnë njëri-tjetrin dhe kanë diferenca në mentalitet dhe kulturë jetese. Fadili, vit pas viti, përcjell breza nxënësish e merr përgëzimet dhe mirënjohjen e tyre, të prindërve, të komunitetit lurian; ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet për të me tituj nderi e çertefikata mirënjohje. Gjithmonë i ri dhe kurajoz, i papërtuar dhe në veprim, duke ndihmuar lurianët e tij, duke dhënë maksimumin e mundshëm, që jeta në këto male të bukurive përrallore të bëhet më e mirë dhe lurianët e tij të jenë më afër vlerave të demokracisë, konstitucionin e së cilës ata e kanë në shpirt dhe e kanë zhvilluar në shekuj, në ligjet e pashkruara të vendit dhe në kararet unikale të dheut.