Mësuesit testohen sërish, ja datat e provimeve dhe dokumentet që duhen
Në muajin korrik do të japin provimin mësuesit të cilët kërkojnë të marrin licencën dhe më pas të konkurrojnë për një vend pune.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, ju bëjmë me dije:
Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tre javëve të para të muajit korrik”,- thotë Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 min. para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal).
Kopje të Kartë ID ose Pasaportë. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë e nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes). Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit.
Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi}.
QSHA -ja nuk do të mundësojë kandidatët të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.