Ilir Meta: Basha dhe Rama vëllezër. Votoni parti tjetër. Votoni LSI

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ishte sot i pranishëm në prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit. Meta bëri akuza ta ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Kreu i Kuvendit u shpreh se gjithë sulmet ndaj LSI-së vijnë nga frika që kanë PS dhe PD nga rritja e saj. Meta shtoi se rritja e LSI-së solli dhe një gjë të mirë, afrimin e PS dhe PD, të cilat sot janë njëlloj.

“Rritja e LSI-së solli dhe një gjë shumë të mirë, dashurinë e Ramës me Edin. Edi thotë, votoni për mua, po nuk votuat për mua votoni për Lulin. Luli thotë, votoni për PD, por po nuk votuat për PD, votoni për Ramën. Por kur këta dy janë vëllezër, pse të mos votojnë një alternativë tjetër. Ndaj votoni LSI-së, votoni alternativën më të mirë”,- tha ish-kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Meta ju përgjigj akuzave që i janë bërë këto ditë LSI-së në Berat për blerja votash. Ai tha se partitë e tjera ngatërrojnë veten e tyre me LSI.

“Nuk merret vota duke u bërë presion qytetarëve që po u bashkove me atë do të heqim nga puna. Ky është koncepti i atyre që i kanë marrë partitë gati. Vizioni i tepsisë vjen nga ata që kanë ardhur me lugë në brez në politikë dhe që ditën e parë janë bërë ministria”,- tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Meta tha se tashmë timoni i qeverisjes nuk është as i PS dhe as i PD, ndërsa shtoi se “Rama e Basha le të marrin një tepsi si timon”. “Ta marrin me qetësi dhe dashuri, timoni iku. Tani të marrin një tepsi si timon, e të jenë të kënaqur sidoqoftë edhe me kaq”,- tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se policia e lidhur me drogën po kërcënon votuesit në Berat që të mos votojnë LSI-në. Ai i bëri thirrje policisë të mos i bëjnë presion qytetarëve.  Meta i ktheu përgjigje edhe për çështjen e timonin Ramën. “Që të jesh timonier duhet të kesh aftësi të ndryshme. Duhet të dish të frenosh. Sa për akuzat e timonit, ai ka patur Nikon Peleshin aty. Nëse ia ka lëvizur njeri timonin të merret me Niko Peleshin, jo me ne”, tha Meta.

Meta akuzoi drejtuesit e listës së PS në Berat si personat përgjegjës që kanë krijuar konflikte mes PS dhe LSI. “Kë grua socialiste ka hequr LSI këtu në Berat, Arta Daden apo Valentina Leskaj, apo shumë e shumë gra me kontribute të çmuara për t’i zëvendësuar me biznesmenë? Nuk i heq LSI-ja gratë socialiste por ish-bashkëkryetari im zgjodhi vendin më të gabuar, Beratin për të hapur luftë me LSI-në me shpifje nga më të shëmtuara dhe më të papranueshmet. Berati e di shumë mirë se ka pasur një harmoni të shkëlqyer gjatë këtyre viteve mes PS- LSI por prej tre muajsh në krye të grupit të punës ka ardhur një kumarxhi dhe ju bën presion njerëzve që të mos shkojnë me LSI-në. E di Berati dhe ndaj do votoj për LSI-në sepse kjo është partia e socialistëve dhe jo oligarkëve”,-tha Meta.

SHKARKO APP