Meta: Basha ka frikë nga hija e tij
“Me z. Basha kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Në fakt, dy njerëzve që u kam bërë më shumë dhurata në këtë jetë janë Rama dhe Basha. Në kuptimin politik të mbështetjes dhe ndihmës në momente të rëndësishme për ta. Dhuratë në kuptimin e mbështetjes”.
Kështu nis të flasë për Lulzim Bashën ish-kreu i LSI-së Ilir Meta në një intervistë në Channel One. Po cfarë nënkupton me dhurata?
“Dhurata është kryetar Bashkie në vitin 2000. Dhurata është kryetar Bashkie në vitin 2007. Kundërdhurata e tij në 2008-n ishte aleanca me Berishën për të bërë Kodin për të zhdukur LSI-në” – thotë Meta.
Edhe etiketimin që Basha i bëri si “Tregëtar i Venedikut”, Meta nuk e konsideron të egër, por dëshpërim.
“Kjo vetëm egërsi nuk mund të quhet. Ky është dëshpërim, aq më tepër kur këtë gjë e thotë z. Basha. E aq më tepër kur kërcënon një politikan si z. Basha, që trembet edhe nga hija e vet” – ironizon Meta që thotë se Basha duhet të dalë në debat televiziv me Petrit Vasilin.
“…për të sqaruar se kush është SHPK, LSI-ja apo PD-ja e z. Basha. Natyrisht që janë edhe shumë personalitete të PD-së që kanë dhënë vlerësimin e tyre se ç’lloj shpk-je është ajo e z. Basha. Mendoj që lista e tregon më së qarti se ç’lloj shpk-je është ajo. LSI-ja nuk vendos kandidatë me lekë. Njerëz pa kontribute, njerëz që s’i njeh partia. Kush i njeh këta?” – akuzon Meta.
“Ai bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht. Para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij. Atë nuk e llogarit fare, padyshim.
Po pse e bëri Rama? Për ta tallur. Ky e mori se mendoi që do të marrë vota me OSHEE-në.
Së dyti çfarë tregon kjo që “LSI i merr me triska, nuk do t’i marrë më, prandaj hajdeni tek ne, se ne do të vijmë në pushtet dhe do ua japim triskat ne”. Ai e di se njerëzit janë dele e dhi dhe ikin siç do ky?
Por ky harron që në 2013-n kur LSI u nda me Sali Berishën dhe kaloi në opozitë, ky që u bë kryetar i Bashkisë Tiranë vetëm falë LSI-së, sepse nuk do të ishte bërë kurrë, ky hoqi gjithë njerëzit që mund të ishin të LSI-së. Edhe shoferë apo pastrues, i hoqi me listën që i çoi Flamur Noka, që nuk duhet ta bënte këtë gjë, pasi LSI ishte në koalicion me PD-në dhe kishte qenë në një koalicion për katër vjet në pushtetin lokal” – tregon Meta.
“Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja që zgjohet në orën 11:00 apo në 12:00. Ky kujton se ia ka fajin LSI-ja se ka 4 vjet në opozitë dhe tre vjet ka jashtë shtetit, kontrolloni dhe sistemin TIMS dhe një vit që ka në Shqipëri e ka vetëm në Tiranë” – thotë Meta.
“Ky kujton se bën pazar me Ramën dhe çdo gjë u vendos në Shqipëri. Ky nuk e di se vendimi merret më 25 qershor dhe vendimin do ta marrin gjithë shqiptarët.
Me aq para sa u përdorën për Rrugën e Kombit mund të ishin bërë dhe nja tre rrugë të tjera. Megjithatë, nuk po hyj te kjo çështje, ajo i mbetet z. Berisha si ide. Pastaj ky ka qenë një zbatues, ka pasur ca probleme me tunelin, por shpresojmë të mos ketë më” – akuzon sërish Meta.
“Nuk ka asnjë lidhje, jo vetëm me dimensionin e Berishës, por absolutisht është një aksident i madh i PD-së për mendimin tim. Edhe unë kam pasur mendim të mirë për të kur ka qenë në pozicionet e ministrit dhe ndoshta për një pozicion ministri ka qenë i përshtatshëm për të mbajtur atë presion dhe atë ngarkesë, por gjithmonë duke pasur mbi vete një lider të fortë që mund ta orientojë apo ta udhëzojë. Por ai si politikan i nivelit të parë është mjaft i dobët, sepse nuk ka shtyllë kurrizore të fortë.
Këtë e kam thënë edhe publikisht, ia kam thënë edhe Ramës. I kam thënë që personi më i qëndrueshëm me të cilin kam bashkëpunuar në Shqipëri në 26 vjet mbetet z. Berisha, për fat të keq” – e mbyll Meta.