Meta: Kandidatë që tu shërbejnë qytetarëve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Komunën e Pustecit. Në një prononcim dhënë për mediat, Meta ka komentuar dhe procesin e zgjedhjeve vendore dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve, Meta tha se prioritet i partive është vendosja e emrave sa më përfaqësues për qytetarët, duke mos përjashtuar dhe emrat që vijnë nga shoqëria civile. “Që do të thotë se prioriteti ynë janë pikërisht përzgjedhja e emrave të cilët do të garantojnë një shërbim sa më të dejtë dhe sa më cilësor ndaj qytetarëve, jo thjeshtë përkatësia e tyre partiake. Sepse në fund të fundit zgjedhjet vendore janë zgjedhjet për të zgjidhur dhe administruar problemet e komunitetit kudo në të gjithë Shqipërinë. Shoqëria Civile ka qenë dhe është gjithnjë mjaft e mirëpritur dhe mjaft aktive për zgjidhjen e problemeve vendore”,- tha kreu i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ka folur dhe për rastet e denoncuara në media të dhunës së policisë ndaj qytetarëve. Ai tha se institucionet do të reagojnë në mënyrë profesionale. “Natyrisht ne distancohemi në çdo akt dhune ndaj qytetarëve, aq më tepër kur ajo vjen nga njerëz që shpërdorojnë uniformat e rendit. Por jam i bindur që Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë marrë dhe do të marrin të gjithë masat e duhura që individ të veçantë me sjelljen e tyre të papërgjegjshme të mos dëmtojnë integritetin e policisë tonë dhe besueshmërinë e saj në raport me qytetarët”,- tha Meta. Në komunën Pustec, Meta u takua dhe me kryetarin e saj Edmon Themelko, me të cilin diskutoi çështjet e promovimit të turizmit dhe problematikat e komunitetit maqedonas. Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit i shprehu vlerësimet e tij për vlerat që mbart komuniteti maqedonas në Shqipëri duke shtuar se parlamenti shqiptar e përkrah zhvillimin dhe ruajtjen e traditave të këtij komuniteti. “Dua të shpreh kënaqësinë që jam sot për vizitë në bashkinë e Pustecit, sepse Komuna e Pustecit tashmë pas 21 qershorit do të jetë bashkia e Pustecit, e cila vërtetë është bashkia në numër më modest në raport me 60 bashkitë e tjera të vendit, por është mjaft kuptim plotë, sepse tregon vëmendjen dhe ndjeshmërinë tonë ndaj komunitetit maqedonas këtu për të ruajtur traditën, zakonet më të mira, dhe për ti integruar ato në të gjithë jetën tonë shoqërore, ekonomike dhe politike dhe institucionale”- tha Meta. Krahas kësaj, Kryetari i Kuvendit theksoi do të ndërmerren të gjitha masat që komuniteti maqedonas të integrohet më shumë në shoqërinë shqiptar duke dëshmuar edhe mbështetjen që parlamenti i ka dhënë Komunës së Pustecit, në fillim duke i rivendosur emrin Pustec dhe më pas duke e ndarë atë si një nga 61 bashkitë që do të krijohen pas zgjedhjeve vendore. “Ashtu si kurse dua të shpreh kënaqësinë se parlamenti pas kërkesë të bërë nga komuniteti i Pustecit vendosi të ndryshojë emrin e kësaj njësi vendore, nga Komua e Liqenasit dikur, në Komunën e Pustecit, dhe kjo u bë me përkrahjen e të gjithë forcave politike në vendit tonë. Ndaj jam i bindur se kjo bashki e re ka nevojë jo vetëm për tu quajtur e tillë, por ka nevojë edhe për tu përgatitur më mirë për të ofruar shërbime më cilësore ndaj komunitetit këtu”,- tha z.Meta

SHKARKO APP