Meta kërkon të pyetet për 21 Janarin, Berisha: Audiopërgjimi i tij me Priftin u manipulua nga Rama
Në një kohë që Ilir Meta kërkon nga SPAK që të pyetet për 21 Janarin, kreu i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në bashkëpunim me gazetarin Filip Çakuli manipuluan regjistrimin e të ndjerit Dritan Prifti për të organizuar 21 Janarin. Në një konferencë për mediat, ai tha se regjistrimi i publikuar atëherë ishte montuar me “copy-paste” dhe ishte paraqitur në mënyrë të rreme sikur Ilir Meta kishte marrë 700 mijë euro nga një biznesmen.
”Dihet botërisht se Edi Rama për të organizuar 21 Janarin, manipuloi dhe falsifikoi në bashkëpunim me Filip Cakullin një regjistrim të marrë nga i ndjeri Dritan Prifti sipas të cilit Ilir Meta ishte paguar 700 mijë euro nga një biznesmen që kërkonte të drejtën e tij. Sali Berisha kryeministër, së pari kishte dëgjuar Dritan Priftin, ose i ishte kërkuar nga Dritan Prifti ta emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme ose përndryshe ka një regjistrim. Fjala ime ishte kjo: nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time. Nxirre. Kjo është e vërteta. Kurrë, kurrë nuk më merr dot kush mua peng”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër Berisha thekson edhe se bëhej fjalë për një letër zyrtare të një biznesmeni, i cili pretendonte se kompania e tij kishte humbur 700 mijë euro si pasojë e moszbatimit të një vendimi gjyqësor mbi një koncesion hidrocentrali. Kreu i PD-së shton se Ilir Meta i kishte komunikuar dorëheqjen e tij para datës 21 janar, duke theksuar se nuk donte të paraqitej në prokurori si zëvendëskryeministër, por si qytetar i thjeshtë. Sipas tij, kjo ishte shenjë standardesh të larta politike të asaj periudhe, në kontrast me atë që ai e cilëson si sjellje të kundërt të kryeministrit aktual.
“Tani, se çfarë di Ilir Meta, sigurisht mund të dijë se ka qenë zëvendëskryeministër, por Ilir Meta në datën 14 apo 15 janar, pra para 21 Janarit, ka ardhur në zyrën tim dhe më ka thënë se unë do jap dorëheqjen sepse unë në prokurori nuk shkoj si zëvendëskryeministër. Ishin standarde të tjera ato, jo standardet e Ramaduros që vrapon për të ruajtur prapanicën e vet duke hedhur në gjyq vendimin e gjykatës. Akt i turpshëm, i paprecedent. Jo, tha ai, nuk shkoj te prokurori si zëvendëskryeministër, do shkoj si qytetar i thjeshtë para tij. Dhe unë e përgëzova. Dhe meqë jemi këtu, se ka nga ata kalemxhinjtë e Edi Ramës që shkruajnë se mungon institucioni i dorëheqjes, u them këtyre zotërinjve se institucioni i dorëheqjes ekziston dhe është ushtruar në të gjitha rastet, përveç njërit në Shqipëri, në memorien time”, vijoi kreu demokrat.
Duke e përshkruar protestën e 21 Janarit si një “agresion të dhunshëm” ndaj Këshillit të Ministrave, Berisha mohon përgjegjëisnë dhe thekson se ajo demontratë ishte e pamundur të parandalohej. “Tani për sa i përket përgjegjësisë, nuk kam, domethënë një skenar i atillë i dhunshëm natyrisht i pari i paprecedent ndonjëherë, por me ato që kam konstatuar, masa ishin marrë, kështu që nuk di ndonjë përgjegjësi për çfarë thotë Meta. Si kryeministër unë mund të them se ai ishte një agresion i vërtetë me hunj, me dinamit, me plumba ndaj ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Se si mund të parandalohej një demonstratë që organizohet me të gjitha këto, natyrisht edhe mundet, por ai është një proces jashtëzakonisht më shumë teorik se sa praktik”.
KOHA JONË SONDAZH

