MIGA, 457 mln euro sektorit bankar në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bjellorusi e Bosnjë

Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA), institucion i Grupit të Bankës Botërore që merret me sigurimin kundër riskut politik dhe rritjen e kreditimit, ka njoftuar se do të ofrojë hua në mbështetje të huadhënies së vazhdueshme për ekonominë reale në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bjellorusi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

MIGA do t’i japë dorëzani prej 457 milionë euro RBI-së, grupit të dytë më të madh financiar që ushtron aktivitet në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Mbulimi nga MIGA do ta zvogëlojë riskun e operacioneve të RBI-së në këto vende, duke i dhënë mundësi kësaj banke të vazhdojë të japë kredi në to, duke nxitur kështu rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë.

Banka Botërore shpreson që, përmes përfshirjes së MIGA-s, filialeve të “Raiffeisen Bank International” në këto vende do t’u kërkohet të përgatisin dhe zbatojnë sisteme të menaxhimit mjedisor dhe shoqëror, në përputhje me risqet e portofolëve të tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pritet gjithashtu që ky kapacitet shtesë të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme kohore të klientëve biznes i madh dhe projekteve të investimeve të filialeve të kësaj banke.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Dorëzanitë e MIGA-s janë një mjet i rëndësishëm për menaxhimin e profilit të risqeve tona, teksa përpiqemi të përqendrohemi në tregje premtuese ku të mund të luajmë një rol të qëndrueshëm lidhur me ofrimin e mundësisë për të marrë financim. Jemi mjaft krenarë që jemi grupi i parë bankar austriak që vë në zbatim këtë product”, u shpreh Karl Sevelda, drejtor i Përgjithshëm i “Raiffeisen Bank International AG”.

Ndërsa Keiko Honda, drejtor i Përgjithshëm dhe zv.president Ekzekutiv i MIGA-s shprehu angazhimin për t’i mbështetur ekonomitë që janë prekur nga kriza financiare ndërkombëtare. “Në veçanti, mbështetja jonë për sektorin financiar në këto vende mund të ndihmojë në thellimin e tregjeve të kredive, nga e cila do të përfitojnë si bizneset, ashtu edhe konsumatorët”, ka shtuar ai.

Mbështetja që MIGA jep mbështetet tek roli i rëndësishëm që kjo agjenci ka luajtur për të mbështetur Planin e Përbashkët të Veprimit të IFN-ve, vënë në zbatim nga Grupi i Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve, në përgjigje të krizës financiare botërore.

Deri tani, MIGA ka lëvruar 1.9 miliardë dollarë dorëzani në kuadër të nismës në mbështetje të ekonomive të Europës Lindore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?