Mikrofinanca, 25 vjet histori suksesi në Shqipëri

Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës zhvilloi dje konferencën me temë “Mikrofinanca Shqiptare: 25 Vite në shërbim të sipërmarrjes së lirë” ku morën pjesë ekonomistë, financierë privatë e publikë, përfaqësues të institucioneve lider të mikrofinancës në Shqipëri; Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë; Përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe partnerë të ndryshëm vendas dhe të huaj.  Të pranishmit në takim theksuan rolin tejet të rëndësishëm që mikrofinanca ka në ekonominë shqiptare. Me mbi 350.000 kredi institucionet e mikrofinancës kanë ndikuar në mënyrë direkte për po kaq shumë vende pune për të vetë-punësuarit, për fermerët, për zanatçinjtë dhe njerëzit e thjeshtë.

“25 vite aktive në treg; Mbi një miliardë dollarë të injektuara në ekonomi; 350.000 kredi për fermerë dhe sipërmarrës të vegjël; me shumë se 1.100 punonjës aktivë, 220 degë të ndryshme dhe punësim indirekt për qindra mijëra njerëz. Këto shifra na bëjnë që sot të ndihemi krenarë pasi kemi ndikuar në jetën e shqiptarëve të thjeshtë në zonat urbane apo rurale, në zonat malore apo bregdetare, nga jugu në veri. Sot ne përfaqësojmë rreth 20% të numrit total të kredive në vend. Mikrofinanca është për ata individë që kanë përqafuar punën e ndershme dhe sipërmarrjen e lirë si mënyrë jetese të tyre”,- u shpreh gjatë takimit kryetari i Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, Bajram Muça.

Në takim mori pjesë dhe Katarzyna Pawlak, Zv. Drejtore e Qëndres Europiane të Mikrofinancës, e cila ritheksoi rëndësinë që Bashkimi Europian i jep mikrofinancës, fermerëve dhe sipërmarrësve të vegjël. Ajo u shpreh më konkretisht që “Anembanë Bashkimit Europian, janë mbi një milionë përfitues të mikrofinancës si një model unik dhe i suksesshëm në mbështetjen e sipërmarrësve dhe fermerëve të vegjël. Dhe Shqipëria bën pjesë në vendet ku mikrofinanca është ndër historitë më të suksesshme në Europë. Në 25 vite, Shqipëria ka krijuar një eko-sistem mikrofinanciar me një qasje reale sociale, zhvillimore dhe në shërbim të punësimit.”

Shifrat e prezantuara në takim theksuan edhe një herë rëndësinë që ka mikrofinanca në ekonominë e vendit. Nga mbi 150.000 biznese aktive në Shqipëri, mbi 95% të tyre punësojnë më pak se katër persona. Po kështu, pjesa dërrmuese e fermerëve ngelen të vegjel dhe familjar me një ferme mesatarisht prej 1.2 ha, ndërkohë që në BE është 15 ha, dhe në SHBA është 120 ha. Dhe pikërisht këta njerëz janë përdoruesit më të mëdhenj të mikrofinancës. “Nga financimi i të përjashtuarëve të sistemit, tashmë ka ardhur koha të kalojmë në një stad të ri. Ne kërkojmë nga qeveria shqiptare ndryshimin e legjislacionit duke i dhënë mundësi mikrofinancës të evoluojë në institucione bankare duke krijuar bankat e mikrokreditit. Ne kemi kosto dhe risk shumë të lartë sepse financimet i gjejmë vete. Sot Mikrofinanca mund të shndërrohet në bankë të mirëfilltë, të mbledhë depozita dhe të japë kredi duke ulur kostot dhe interesat për qytetarët shqiptarë”,- ishte kërkesa e prezantuar gjatë takimit nga Presidenti i Shoqatws, Bajram Muca.

Përfaqësuesit e mikrofinancës rikonfirmuan ambiciet e tyre për të vazhduar “mikrofinancën sociale” dhe në të ardhmen, duke u fokusuar dhe në një shtrese shumë të rëndësishme në Shqipëri siç janë emigrantët që po kthehen në atdhe. Financimi dhe mbështetja teknike për këtë kategori njerëzish që dëshiron të investojë në biznese apo start up-e në Shqipëri do të ngelet gjithmonë një prioritet në një vend me nivele të larta papunësie si Shqipëria.  Gjatë takimit të pranishmit kërkuan në veçanti nga autoritetet publike krijimin e një fondi të dedikuar garancie për sipërmarrjen e lirë, për ata individë, fermerë apo sipërmarrës që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre, por nuk kanë mungesë kolaterali. Shteti mund të jetë një aktor federues gjithashtu në krijimin e sinergjive të reja, si për shëmbull duke koordinuar investimet në infrastrukturën rrugore, urbanistike apo ujore në mënyrë që ato të shoqërohen dhe me financime për sipërmarrësit e fermerët zonës. Po kështu, shkëmbimi i databazave mes autoriteteve publike dhe ato private, në veçanti për ato sektorë me informalitet të lartë si sektori i hotelerisë familjare, mund të sjellë një kanalizim më efikas të financimeve dhe mikro-kredive të përshtatura. Pjesëmarrësit rikujtuan që marrë së bashku, bujqësia dhe turizmi sjellin mbi 35% të PBB dhe se në zemër të këtyre dy sektorëve janë pikërisht biznese familjare e të vogla. Ndaj vëmendja ndaj mikrofinancës duhet të jetë sa më e madhe. Në vijim gjatë takimit u diskutuan edhe tema si mbështetja për bizneset e drejtuara nga të rinjtë dhe gratë; përfitimin e projekteve me fondet e Bashkimit Europian; Financimin e turizmit familjar përmes skemave të mikrokredisë, etj.

SHKARKO APP