Mima: Kostot mbi qytetarët, çmimet do të rriten me 20%

Futja në skemën e TVSH-së edhe e biznesit të vogël do të ketë pasoja tragjike për sistemin fiskal shqiptar, sipas Partisë Demokratike. Florion Mima, ish-zëvendësministër Financash dhe deputet i PD-së, thotë se kostoja do të rëndojë mbi qytetarët.

Por kjo masë ka edhe disa pasoja të tjera.

Së pari rrit koston për vetë Tatimet, pasi administratës do t’i duhet të kontrollojë me dhjetëra mijëra biznese të vogla, të cilat sot nuk kontrollohen me të njëjtën vëmendje. Kjo është edhe arsyeja se, përse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë gjithmonë skeptik ndaj kësaj mase.

Së dyti, një pjesë e bizneseve të vogla mbijetojnë në treg, pikërisht për shkak se nuk paguajnë TVSH-në. Ndonëse në shumë raste ato i mbajnë çmimet njësoj si bizneset me TVSH, duke e mbajtur vet padrejtësisht taksën e paguar nga qytetarët në çmimin e mallit, ky ka qenë edhe një amortizator social.

Vendosja e TVSH-së mund t’i detyrojë disa nga këto biznese të falimentojnë, duke rritur papunësinë. Kjo mund të kthehet në një sfidë sociale për qeverinë./TCH/

SHKARKO APP