Minatorët kërcënojnë me protestë: Do ti hyjmë me forcë në zyrë Ramës
Sindikata e Minatorëve akuzon qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e statusit të minatorit, të cilin e rrëzoi me votë në seancën parlamentare të 2 shkurtit.
Kreu i Sindikatës, Fiqiri Xibri, thotë se qeverisë i është lënë një afat 10 ditor dhe nëse kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhër ata do të protestojnë më 21 mars para Kryeministrisë.
Fiqiri Xibri: Ne do të hyjmë forcërisht në zyrën e Kryeministrit dhe nuk do të dalim që aty për pa u realizuar publikisht ky debat dhe të shikojmë nëse qeveria është vërtet në anën e njerëzve, popullit që i ka dhënë votën apo është në anën e korrupsionit, në anën e arbitraritetit.
Por cilat janë kërkesat e Sindikatës së Minatorëve?
Fiqiri Xibri: Pensioni minimal që nuk duhet të jetë më pak se 175% të pagës minimale, kërkojmë përshkallëzimin e moshës së pensionit që është turp dhe faqja e zezë që një minator që ka punuar 12 vjet e gjysmë del 55 vjeç në pension dhe një që ka punuar 12 vjet e 5 muaj nuk del dhe del 65 vjeç. Ky është turp e faqja e zezë. Ka edhe kërkesa të tjera pastaj në lidhje me trajtimin shëndetësor, ata që aksidentohen në punë, ata që humbin jetën në punë.
Maxhoranca rrëzoi projektligjin e propozuar nga deputeti Përparim Spahiu me pretendimin se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk parashikonte kostot ndërkohë një tjetër draft është duke u përgatitur në lidhje me statusin e minatorit këtë herë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.