Ministrat teknikë: Konflikti PS-PD rrezikon të lërë pa energji gjithë vendin
Konflikti mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike rrezikon të lerë pa energji gjithë vendin. Burime pranë qeverisë bënë me dije se ka një ngërç lidhur me përballimin e situatës dhe nevojës për importe. Aktualisht është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që po siguron energjinë e nevojshme përmes të ardhurave të saj. Por në lojë mund të hyjë KESH që ka në dispozicion 22.4 milionë euro nga Projekti me Bankën Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike, fond i parashikuar specifikisht për raste emergjente dhe kriza si rrjedhojë e thatësiravë. Edhe pse paratë janë ato nuk mund të përdoren për shkak se vendimi për përdorimin e tyre duhet të kalojë në Këshillin e Ministrave.
Të njëjtat burime konfirmuan se ministrat teknikë të Partisë Demokratike s’kanë firmosur asnjë vendim duke lënë pezull autorizimin për KESH që të përdorë paratë e projektit për importin e energjisë. Një vendim i tillë shihet si i nevojshëm për të shmangur situata të vështira në vazhdim. OSHEE nga ana tjetër rrezikon që nëse vijon të përdorë të ardhurat e saj për importe të shkurtojë pjesën e investimeve. Kompania e shpërndarjes realizoi blerje energjie nga importi në maj në masën e 173 269 Mwh ndërkohe që gjatë përgjatë gjithë muajit qershor kontraktoi vetëm për tre ditët e fundit të Qershorit dhe për muajin Korrik import në masën e 285 600 Mwh. Rrjedhimisht, gjatë gjithë Qershorit, vendi u furnizua me energji elektrike duke përdorur prodhimin e sforcuar të kaskadës së Drinit nga KESH-i çka çoi edhe në uljen e ndjeshme të nivelit në Fierzë.
Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës ka zbritur në 272 m ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. KESH-i tashmë prodhon për nevojat e OSHEE-së vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale, me synim të mos ulë më tej nivelin e kaskadës. Për shkak të rritjes së konsumit, nisur edhe nga temperaturat e larta atmosferike, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë, me synim garantimin e furnizimit të konsumatorëve. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin Korrik në masën 112 000 Mwh. Kryeja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë të pafavorshme për OSHEE-në./Monitor