Ministri Gogu takon kreun e SPAK: Bashkëpunim për funksionimin e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me kreu e SPAK, Klodjan Braho.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri Gogu sqaron se takimi vjen në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional do të zhvillohet në këto drejtime:
• përmirësimin e kuadrit ligjor, duke adresuar boshllëqet ekzistuese në lidhje me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar
•forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen infrastrukturore
•rritjen e efikasitetit të sistemit dhe koordinimit në nivel politikash publike
•konsolidimin e standardeve dhe praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.
SPAK mbetet një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Bashkëpunimi ynë mbështetet në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve”, shkruan Gogu në postimin e tij në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

