Ministri Gonxhja pret në takim Dukën: Të çojmë përpara projektet për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja priti në takim presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe mirëkuptimi, duke konfirmuar vullnetin e përbashkët të palëve për të forcuar më tej lidhjen mes institucioneve dhe për të çuar përpara projektet për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vend.
Duka e uroi ministrin Gonxhja për detyrën e re dhe i shprehu gatishmërinë e FSHF-së për të bashkëpunuar ngushtë me institucionin e tij në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të futbollit. Gjatë takimit, Duka prezantoi vizionin e Federatës për zhvillimin e futbollit dhe sportit shqiptar, duke theksuar arritjet e rëndësishme të viteve të fundit si sukseset e Kombëtares, organizimi i finales së UEFA Europa Conference League në Tiranë, organizimi i Euro U17 2025 dhe bashkorganizimi i Euro U21 2027 me Serbinë.
U theksua se sporti është një motor zhvillimi ekonomik, social e kulturor dhe kërkon një bazë ligjore solide për një të ardhme të qëndrueshme. Në këtë kuadër, Duka kërkoi mbështetjen e ministrisë për një reformim ligjor që të garantojë autonominë e sportit, lehtësi fiskale për investimet dhe një angazhim më të madh institucional për zhvillimin e futbollit dhe sportit shqiptar. Në këtë takim, presidenti Duka u shoqërua nga drejtori administrativ i FSHF-së, Aldi Topçiu.
KOHA JONË SONDAZH



