Ministri i Bujqësisë: Ministrja e PD bllokon fondet në bujqësi
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti hodhi akuza ndaj Ministres së Financave, të drejtuara nga një ministër teknik i PD, Helga Vukaj për bllokimin e fondit për vaksinat kundër “Dermatozës Nodulare”.
Gjatë një takimi në fshatin Bitinckë të Devollit, ai inspektoi situatën nga afërt të shfaqjes së shenjave të reja të sëmundjes së “Dermatozës Nodulare”.
“I kërkoj Ministrisë së Financave zhbllokimin e menjëhershëm të fondit, për vaksinatorët. Ato pak fonde që i kanë dhënë bujqësisë, të paktën të na i lëvrojnë, pasi vaksinatorët duhen paguar. Nuk mund të vazhdojmë me këtë situatë, të lejojmë përhapjen e Dermatozës, vetëm për faktin e bllokimit të fondit nga Ministria e Financave.
Nuk e di arsyen e bllokimit, por është detyrë e Financave, ndërkohë që vaksina është siguruar për gjithë numrin e gjedhit në Shqipëri, me ndërhyrjen time. Kemi përgatitur një VKM, për fondet për vaksinimin, por qeveria nuk mblidhet dhe s’kemi mundur t’i kalojmë deri tani”, tha ai.