Ministri Lamallari: Debati real për drejtësinë nuk janë rrogat, por zvarritja e proceseve dhe qytetarët në paraburgim
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thotë se debati real për drejtësinë sot nuk duhet të jenë pagat por proceset gjyqësore dhe stoku i dosjeve. Lamallari nënvizoi gjatë intervistës se problemet reale të sistemit janë proceset gjyqësore që zvarriten, vakancat e pazbatuara, zgjatjet e afateve të krerëve të gjykatave dhe paraburgimi i padrejtë për qytetarët. Për të llogaridhënia e zyrtarëve dhe besimi i qytetarëve te drejtësia janë kyçe për forcimin e demokracisë dhe integrimin evropian.
“Diskutimi real duhet të jetë për një nevojë për analizë të fortë për 10 vitet e reformës: a ka sot procese gjyqësore që zvarriten, a ka vakanca që duhen adresuar, a ka sot zgjatje të afateve të qëndrimit në detyrë të krerëve të gjykatave dhe prokurorive, a ka drejtësi cilësore për qytetarët. Nuk duhet të ketë sot zvarritje dhe qytetarët duhet të marrin drejtësi; një drejtësi e vonuar është e mohuar. Këtë mund ta pësojë një qytetar në paraburgim dhe nuk ka vendim gjykate apo pafajësie që të kthejë pas kohën e mohuar të një qytetari. Këto janë çështje reale që gjyqësori duhet t’i flasë sot”, u shpreh Lamallari duke theksuar se qeveria e ka treguar mbështetjen e saj.
“Unë respektoj ndarjen e pushteteve, por më e rëndësishme është llogaridhënia. Kjo është në funksion të forcimit të demokracisë. Çdo zyrtar shqiptar duhet të japë llogari para qytetarit. Paraburgimi është padrejtësi e shtuar ndaj qytetarëve dhe kur kjo përforcohet nga Këshilli i Europës, kur kemi një stok çështjesh që nuk po shqyrtohen nga gjyqtarët, këto janë çështjet reale që duhen diskutuar”, tha më tej.
KOHA JONË SONDAZH

