Ministri Vengu: Krijohet një njësi elitare brenda Regjimentit të Operacioneve Speciale

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, publikoi pamje nga stërvitja e Regjimentit të Operacioneve Speciale, duke theksuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe profesionalizmit që karakterizon këtë njësi elitare të Forcave të Armatosura.

Sipas tij, objektivi i komandantit të regjimentit, kolonel Ajet Jata, është krijimi i një force të nivelit elitar, e aftë të përmbushë çdo mision dhe të përballet me çdo skenar operativ, në përputhje me standardet e NATO.

Duke folur për prioritetet e tij në drejtimin e kësaj strukture, kolonel Jata u shpreh se fokusi kryesor mbetet stërvitja intensive dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se një pjesë e rëndësishme e punës së përditshme lidhet me koordinimin me forcat speciale të vendeve aleate dhe me Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, ndërsa pjesa dërrmuese e kohës i dedikohet trajnimeve, të cilat i cilësoi thelbësore për ruajtjen e standardeve profesionale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Koloneli vuri në dukje se drejtimi i një njësie të tillë kërkon jo vetëm aftësi menaxheriale, por edhe vendimmarrje të saktë dhe marrje përgjegjësie të plotë. Sipas tij, një komandant duhet të jetë në gjendje të marrë vendime në kohë dhe të mbajë përgjegjësi si për arritjet, ashtu edhe për dështimet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke iu referuar eksperiencës së tij në misionet e Aleancës në Afganistan dhe Irak, Jata nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe ndërtimit të besimit mbi bazën e respektit reciprok. Ai shtoi se në operacionet ushtarake, terreni sfidon aftësitë fizike, morale dhe profesionale të efektivëve, ndërsa strategjia provon qartësinë dhe largpamësinë e drejtuesve.

Në fund, komandanti evidentoi transformimin e ndjeshëm të regjimentit vitet e fundit, si në rritjen e kapaciteteve operacionale, ashtu edhe në përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personelit me politika motivuese. Sipas tij, angazhimi i vazhdueshëm i trupave shqiptare në kuadër të NATO-s dëshmon kontributin e Shqipërisë për sigurinë rajonale dhe më gjerë, duke përmbushur standardet e Aleancës në gatishmëri dhe përgatitje.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?